Sindikata e Punëtorëve e RTK-së është e zhgënjyer nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët tash e 4 vjet qëllimisht po e zvarrisin miratimin e ligjit të ri të RTK-së. SPERTK dyshon se kjo zvarritje po bëhet për pazare politike.
Kështu thuhet në reagimin e SPERTK, ndërsa njoftohen punëtorët e RTK-së se kjo sindikatë së shpejti do t’i rifillojë protestat dhe grevën derisa Kuvendi ta miratojë ligjin e ri të RTK-së dhe të krijohen kushte të mira të punës, të cilat do të mund të zgjidheshin me miratimin e këtij ligji, duke filluar nga çështja e financimit të përhershëm dhe të pavarur të RTK-së, prona dhe digjitalizimi.
Pjesa tjetër e reagimit:
Ua bëjmë me dije deputetëve të Kuvendit se objektet ku gjendet Transmetuesi Publik janë ndërtesa të vjetruara dhe të ndërtuara para shumë vitesh, dhe si të tilla përbëjnë rrezik për jetën e kolegëve tanë, të cilat mund të shemben nga një tërmet i lehtë. SPERTK ua rikujton të gjitha partive politike se rrezikimi i jetës së punëtorëve të RTK-së është i papranueshëm dhe i dënueshëm me ligjet në fuqi, sepse themelues i RTK-së është Kuvendi i Kosovës.
SPERTK dhe kolegët tanë janë të zhgënjyer me Kuvendin, i cili tash e 4 vjet nuk po arrin ta zgjidhë çështjen e RTK-së. Është e pakuptueshme se si deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë politike, kanë punuar në ligjin e ri të RTK-së, ndërsa në Kuvend i njëjti ligj nuk po kalon. Kjo s`është gjë tjetër veçse tentim për kontroll dhe shkatërrim të qëllimshëm të RTK-së nga ana e Kuvendit. SPERTK nuk do të lejojë shkatërrimin ose kontrollin e RTK-së nga grupe politike e klanore. SPERTK kërkon që përveç ndërtimit të objektit të ri, prona që gjendet te RTK Radio, t’i kalojë ligjërisht në pronësi RTK-së, në mënyrë që Mediumi Publik t’i posedojë pronat e tij dhe jo ta zhvillojë punën në prona të huaja dhe në kushte emergjente.
Të nderuar kolegë të RTK-së, së shpejti do t`ju njoftojmë për ditën se kur do të fillojmë me protesta, e pastaj edhe me greva para Kuvendit të Kosovës, deri në realizimin e të drejtave tona, të cilat na takojnë me ligjet në fuqi që ka Republika e Kosovës. Çdo ditë e humbur me mosmiratimin e ligjit të ri të RTK-së, mund të jetë e kushtueshme për të ardhmen e Transmetuesit Publik.
Sinqerisht,
Kryesia e SPERTK-së
Prishtinë, 21.03.2019







