Ka filluar greva e Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, e paralajmëruar kundër vazhdimit të kontratës me Z-Mobile.

Drejtuesit e FSP-PTK patën paralajmëruar se nëse vendimi për marrëveshjen me Z-Mobile nuk do të bëhej publike, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe shefi ekzekutiv i PTK-së se nuk do të vazhdohej, të njëjtit do të futeshin në grevë.

Kjo, sipas tyre, është edhe kërkesë që të mos lejohet vazhdimi i ekzekutimit të borxhit të Arbitrazhit për përmbarim.

Grevën e ka konfirmuar për Ballkani.info, kryeshefi i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj.

“Këshilli grevist ka vendos që që nga 29 korriku me hy në grevë. Sot është paraparë një pjesë e punëtorëve me qenë në grevë 24 orë, ndërsa nëse nuk ka vendim në favor të Telekomit, atëherë greva e përgjithshme fillon nesër, në orën 9. Greva nuk ndalet deri në realizmin e kërkesave tona, ato që i kemi për mosvazhdimin e kontartës me Z Mobile”, tha Balaj, për Ballkani.info

Në faqen zyrtare të sindikatës, janë bërë publike edhe fotografitë e punëtorëve që momentalisht janë në grevë.

Dje u raportua në media se ka gjasë që të vazhdohet kontrata me kompaninë e Devollëve, Z-Mobile, derisa këta të fundit e kanë dërguar në përmbarim kompaninë publike Telekom për borxhin e arbitrazhit.

loading…