Carl Bildt

Si mund të marrë fund lufta në Ukrainë

Nga Carl Bildt “Washington Post”

Kur do të përfundojë lufta në Ukrainë? Si do ta ndryshojë rendin ndërkombëtar ky konflikt? Kur do të rikthehet paqja në Evropë? Analistët dhe ekspertët kanë reflektuar apo debatuar shpesh mbi këto pyetje, por përgjigja e sinqertë është se askush nuk e di vërtet. Konflikti ka të ngjarë të vazhdojë me vite.

Ukraina do të jetë e shkatërruar, ndërsa Rusia do të dobësohet shumë. Por gjithsesi një ditë luftërat përfundojnë, dhe ekzistojnë disa kushte apo rrethana të qarta, që mund të lejojnë që kjo gjë të ndodhë në të ardhmen. E para është ndryshimi i kursit në Kremlin.

Lufta në Ukrainë është në fakt lufta e presidentit Vladimir Putin. Vendimi për të pushtuar Ukrainën, ishte i tiji personalisht. Vizioni i tij – rikrijimi i një “Rusie të Madhe” – është bërë një obsesion që ka lindur si pasojë e pakënaqësisë të tij personale nga shembja e Bashkimit Sovjetik.

Ai është mbështetur tek propaganda dhe shtypja intensive, për të mobilizuar mbështetjen e publikut për pushtimin, si dhe për të minimizuar kritikat midis rusëve. Por nga bisedat që kam zhvilluar vetë me rusët që janë larguar së fundmi nga vendi i tyre, duket se në mesin e elitave ruse ka një mungesë të dukshme entuziazmi për këtë luftë.

Sigurisht që në këtë pikë nuk duan ta humbin luftën, por shumica prej tyre thonë se nuk duhej ta kishin filluar kurrë atë. Ndërsa luftimet vazhdojnë, dhe përfitimet territoriale bëhen më të vështira për t’u konsoliduar, Putini mund të bjerë dakord për një armëpushim. Ai mund kënaqet strategjikisht me më pak nga sa kishte synuar.

Por askush s’duhet të gënjehet. Kontrolli i fortë i Putinit në pushtet, nënkupton se ai do të përpiqet ta çojë luftën në një përfundim, të cilin ai e konsideron të përshtatshëm për ambiciet e mëdha të Rusisë. Por ka shumë të ngjarë që Putini, që në vjeshtë bën 70 vjeç, mund të mos jetojë mjaftueshëm për ta parë të realizuar plotësisht vizionin e tij.

Se çfarë vjen pas tij, kjo hipotetizohet nga shumëkush. Nuk ka asnjë pasardhës të qartë të mundshëm që mund të ketë pushtetin e duhur politik, për t’i dhënë fund asaj që është shndërruar në një luftë të diskutueshme dhe jopopullore në shumë qarqe.

Po ashtu është e pamundur që një pasardhës i Putinit, të ndajë obsesionin që ka ky i fundit me Ukrainën. Perspektiva e paqes së qëndrueshme midis 2 vendeve, do të shfaqet vetëm pasi Putin të largohet nga pushteti. Kushti i dytë dhe po aq i rëndësishëm, është hedhja e bazave për stabilitetin dhe sigurinë e Ukrainës.

Nëse Ukraina bëhet një shtet i dështuar, pa një ekonomi dhe institucione funksionale, dhe me një skenë politike shumë të fragmentuar, paqja do të jetë e paarritshme. Nëse Ukraina zhytet në kaos, një Kremlin post-Putin mund të tundohet të vazhdojë të ndërhyjë në punët e saj të brendshme, në një kohë që oreksi i Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për mbështetje të vazhdueshme mund të fillojë të zbehet.

Mbështetja ushtarake ndaj Ukrainës është sot jetike. Por gatishmëria e Bashkimit Evropian për të përmbushur angazhimin e tij për t’i hapur derën e anëtarësimit, do të jetë më e rëndësishme në të ardhmen. Pranimi në BE nuk është as një kurë, dhe as një proces i lehtë, por duhet të jetë fari që e udhëheq Ukrainën për t’u bërë një vend i qëndrueshëm dhe elastik.

Kjo do kërkojë vite, por ritmi i procesit do të vendoset përfundimisht nga aftësia e vetë ukrainasve për të përballuar sfidën që parashtrojnë reformat e nevojshme. Gjithashtu, ky vend do të ketë nevojë për investime dhe mbështetje të madhe. Por pa siguri, përparimi nuk do të jetë i mundur apo i mjaftueshëm.

Nëse anëtarësimi në NATO mbetet jashtë diskutimit, do të jenë thelbësore angazhimet e forta dypalëshe për ta ndihmuar Ukrainën të ndërtojë një sistem mbrojtjeje efektive. Diskutimet për këtë temë duhet të zhvillohen paralelisht me përpjekjet për rindërtimin e vendit, të cilat kanë filluar tashmë, edhe pse në vija të përgjithshme.

Konflikti në Ukrainë ka vazhduar prej gati 2 dekadash, por tani gjendet në një fazë kinetike akute, të rrezikshme dhe me gjasë vendimtare. Evropa dhe demokracitë e botës, duhet të fillojnë të ndërmarrin angazhime financiare, ekonomike dhe politike për të garantuar që Ukraina ta largojë kërcënimin rus, dhe të dalë nga kjo luftë më e fortë dhe më e begatë se më parë.

Shënim: Carl Bildt, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Suedisë.