Shumë viktima të dhunës seksuale nuk e morën statusin

Nga 2 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, vetëm 1 mijë e 300 kanë arritur të fitojnë statusin e viktimës seksuale, kjo ngase pjesa tjetër nuk po arrijnë të dëshmojnë atë që kanë përjetuar, në mungesë të dokumentacioneve shëndetësore.

Nga KMDLNJ konsiderojnë se kërkesa për dëshmi, është kundër të drejtave të njeriut, derisa mjeku i luftës ka treguar përjetimet e tij me viktimat.

Numër i madh i viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, nuk mund të dëshmojnë atë për që u ka ndodhur, për t’iu njohur statusi i viktimës seksuale.

244 gra e burra janë refuzuar nga komisioni që mbikëqyr këtë proces, shkaku i mungesës së dokumentacioneve shëndetësore.

Nga 2 mijë që kanë aplikuar për atë status, 1 mijë e 300 prej tyre kanë filluar të marrin befenicionin, raporton Kanal10.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, thotë se shumë nga këta persona, kanë filluar të harrojnë në saktësi ngjarjen, e disa nga frika janë detyruar t’i zhdukin gjurmët.

Mjeku i luftës, Shukri Gërxhaliu, ka treguar përvojën në trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ai thotë se ka arritur të mbledhë shumë dëshmi gjatë rrëfimit të tyre.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se kërkesa për dokumentacione ndaj viktimave, është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Statusi i viktimës së dhunës seksuale, është njohur me ligj në vitin 2014.

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.