Shumë pacientë, pak infermierë në QKUK

Në klinikat e QKUK-së, sipas Sindikatës së Infermierëve, ka mungesë të infermierëve. Thonë se vetëm në Onkologji, për 15 pacientë përkujdeset një infermiere.

Për 15 pacientë të institutit Onkologjik përkujdeset vetëm një infermiere.

Mungesë të stafit të mesëm ka edhe në klinikën e Infektives dhe në Ortopedi, madje në Radiologji ka shtatë vjet që nuk është punësuar asnjë infermier, ndërsa 9 pozita të tilla janë liruar, por nuk janë zëvendësuar.

Përfaqësuesi i sindikatës së QKUK-së thotë se është e pamundur të arrihet cilësia e shërbimeve me pak infermierë.

“Një sallë e cila është me 20 pacient aty janë vetëm dy infermier duke marrë terapinë dhe është e pamundur që të ketë shërbim të mirë për ata pacient, aty janë dy salla dhe kjo është shumë e pazakontë”, tha Agron Kryeziu, nënkryetar i Sindikatës së QKUK-së.

Menaxhmenti i SHSKUK-së tash e sa kohë nuk jep leje për xhirime brenda klinikave, as sot nuk e ka aprovuar kërkesën e RTK-së për intervistimin e infermierëve që përballen me fluks të shërbimeve, por këtë mangësi e konfirmon edhe Oda e Mjekëve.

“Ka dy vite që QKUK nuk i ka zëvendësuar vendet e lira, ato që kanë dalë në pension. E kam dëgjuar se drejtori në Ortopedisë i cili ka thënë se ka nevojë edhe për 20 infermierë”, ka thënë Naser Rrustemi, kryetar i Odës së Infermierëve.

Mosha mesatare e infermierëve në QKUK konsiderohet të jetë 53 vjet. Dy konkurset e hapura për infermierë nga QKUK-ja kanë dështuar ndërsa Oda e Infermierëve vazhdimisht kanë bërë kërkesa tek institucionet përgjegjëse për shtim të numrit të infermierëve.

Sipas statistikave të Sindikatës së QKUK-së, Kosova dhe vendet e rajonit kanë nevojë edhe për 5 mijë infermierë të punësuar.