Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka bërë të ditur planin e tij për ndërtimin e tri nënkalimeve moderne, të cilat synojnë të lehtësojnë qarkullimin dhe të rrisin sigurinë në qytet.

Sipas Bujës, nënkalimi i parë, i destinuar për automjete dhe këmbësorë, do të ndërtohet në rrugën “Bajram Gashi”, duke lidhur qendrën me anën lindore dhe duke krijuar një arterie të re urbane.

Nënkalimi i dytë, i cili do të shërbejë për këmbësorë dhe çiklistë, është planifikuar pranë stacionit të trenit – aty ku ndarja mes dy anëve të qytetit është më e dukshme. Ai do të ribashkojë sheshin me pjesën përtej hekurudhës.

Ndërkaq, i treti, për automjete dhe këmbësorë, do të lidhë qendrën e qytetit me lagjen e Akllapit përmes rrugëve “Ganimete Tërbeshi” dhe “Sadik Shala”, duke hapur mundësi të reja për qasje dhe zhvillim.

“Ky është vizioni ynë: një qytet pa ndarje, një Lipjan i bashkuar që ecën përpara”, ka deklaruar Buja.