seanca

Shtyhet seanca për vrasjen e Agonis Tetajt

Shaban Gogaj pritej që sot të sillej para gjykatës për t’u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për vrasjen e Agonis Tetajt.

Por me kërkesë të mbrojtjes së Shaban Gogaj, seanca e sotme është shtyrë nga trupi gjykues. Kësisoj, seanca e radhës është caktuar për datën 7 maj 2021.

“Gjykata me parashtresë është njoftuar nga avokati Besnik Berisha me 19.03.2021 se nuk ka mundësi të marrë pjesë në seancë në këtë datë pasi që është amgazhuar në dy seanca të shqyrtimit gjyqësor për vrasje të rëndë për të cilat i kanë pranuar ftesat një muaj më parë”, tha kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova.

Më këtë parashtresë janë njoftuar të gjitha palët në procedurë.

Vrasja e Agonis Tetajt në vendin e tij të punës në Deçan bëri bujë të madhe në të gjithë vendin në momentin kur u publikuan pamjet e vrasjes së tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt. Pas një kërkese të avokatit Besnik Berisha, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, kishte përjashtuar në tërësi Prokurorinë e Pejës për trajtimin e rastit, duke dërguar lëndën në Prokurorinë e Gjilanit.

Agron Uka prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykata ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si vrasje nga pakujdesia.