Shtyhet Kupa e Afrikës shkaku i Ramazanit

Pjesa dërrmuese e futbollistëve pjesëmarrës e agjërojnë muajin e shenjtë të tyre.

Është shtyrë për 6 ditë fillimi i Kupës së Afrikës, e cila do të mbahet këtë vit në Egjipt.

Lajmin e ka bërë të ditur Konfederata e Futbollit të Afrikës, duke shpjeguar se ky eveniment nuk do të nisë më 15 qershor 2019, por më 21 qershor, për t’ua dhënë futbollistëve të besimit islam disa ditë më shumë për t’u bërë gati pas përfundimit të muajit të Ramazanit.

Periudha e agjërimit këtë vit do të përfundojë më 4 qershor.

Andaj, organizatori e ka dëgjuar dhe aprovuar kërkesën e disa Federatave Kombëtare të Afrikës së Veriut.

Shumë yje të këtij evenimenti janë praktikues të fesë, siç janë sulmuesi i Liverpoolit, senegalezi Sadio Mane, por edhe egjiptiani Mohamed Salah.

Ky i fundit do të jetë mikpritës i këtij turneu, i cili do të mbahet në Egjipt.

Ky njëherësh do të jetë edicioni i parë kur do të marrin pjesë 24 skuadra.

Në vitin 2017, në turneun e fundit kishin marrë pjesë 16 ekipe, ndërsa kishte fituar Kameruni, në finalen e fituar pikërisht ndaj Egjiptit.