Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën të premten një valë të re sanksionesh ndaj Tehranit, përfshirë sanksionet kundër Bankës Qendrore të Iranit dhe ndaj një fondacioni për zhvillim. Ky vendim erdhi pas sulmit në stacionet e naftës në Arabinë Saudite, për të cilin zyrtarët amerikanë e kanë fajësuar Iranin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e bëri të ditur lajmin për këto sanksione gjatë një konference për gazetarë të premten pasi fillimisht e kishte publikuar këtë plan më parë gjatë javës përmes rrjetit social, Twitter.
Irani e ka mohuar përfshirjen në këto sulme, të cilat ndikuan në zvogëlimin e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite për pesë për qind dhe rritjen e çmimit të karburanteve në tregun ndërkombëtar. Përgjegjësinë për sulmet e ka marrë grupi i rebelëve Houthi, të cilët besohet se kanë lidhje me Iranin.
“Këto janë sanksionet më të larta që i janë vënë ndonjëherë ndonjë shteti. Është shumë e keqe ajo që po ndodh me Iranin. Ata do të shkojnë në ferr, janë të falimentuar”, tha presidenti amerikan.
Shtëpia e Bardhë u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, duke i kthyer sanksionet kundër republikës islamike dhe duke i zemëruar aleatët evropianë, shkruan “Reuters”.







