Shtatorja e Anton Çettës në bronz ende pa lokacion

Skulptori Agon Qosa i ka dhënë fund punës për realizmin e shtatores së mbledhësit të folklorit e pajtuesit të gjaqeve, Anton Çetta. Tashmë vepra është shkrirë në bronz. Por atij i është thënë që ta mbajë shtatoren në atelie. Se sa do të qëndrojë figura e Çettës në atelienë e skulptorit ferizajas nuk dihet. Kjo, për shkak se shteti ende nuk ia ka bërë një vend shtatores nëpërmjet së cilës do të kujtohet prijësi i Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve.

Skulptori Agon Qosa ka thënë se shkrirja në bronz e shtatores është bërë në Mitrovicë, nga Ervis Harlicaj. Sipas tij, vepra tashmë është e gatshme dhe mund të vendoset menjëherë në secilin lokacion që i caktohet, shkruan sot Koha Ditore.

“I kam thirrur këta të Agjencisë për të ardhur e për ta parë. Më kanë thënë se nuk është caktuar ende vendi dhe që ta mbaj në atelie. Nuk e di çfarë të them sa i përket moscaktimit të lokacionit”, ka thënë Qosa.

Riza Krasniqi, anëtar i këtij këshilli, ka thënë se anëtarët e Këshillit do të mblidhen për ta diskutuar këtë problem. Qysh prej korrikut të këtij viti kur gazeta kishte raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës kishte refuzuar kërkesën që shtatorja të vendoset në oborrin e këtij institucioni, Këshilli më nuk ka bërë ndonjë kërkesë tjetër.