Shqiptarët të gatshëm që të mbrojnë Manastirin e Deçanit

 “Europa Nostra” e fut në shtatë monumentet më të rrezikuara Manastirin e Deçanit, kjo kontestohet nga banorët.

Ky Manastir është objekti më i rëndësishëm, kulturor, historik e fetar në Deçan.

Madje veçantia e tij shkon përtej kësaj komune, ky monument është pjesë  e çmuar e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.

Njësoj e jashtëzakonshme është edhe zona përreth tij, poashtu e mbrojtur.

Por ky monument që rrethohet nga bjeshkët e larta e lumbardhi  i Pejës po shihet si një nder objektet e trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë.

Organizata “Europa Nostra” e ka futur Manastirin e Deçanit në listën finale si një ndër shtatë monumentet më rrezikuara.

Megjithatë banorët këtu po i kontestojnë këto qëndrime.

Xhevdet Cacaj, që i ka kaluar gjashtë dekada të jetës së tij në Deçan thotë që ai bashkë me banorët këtu e kanë mbrojtur dhe do vazhdojnë të mbrojnë këtë monument.

Manastiri gjatë tërë kohës ruhet nga trupat e KFOR-it.

E ky manastir që është një ndër monumentet më të ruajtura mesjetarë në Evropë është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Nderkohë ditë më herët Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani i kanë dërguar një letër Organizatës Europa Nostra lidhur me nominimin e Manastirit të Deçanit për programin Shtatë monumentet më të rrezikuara evropiane.

Osmani e Kurti përmes një letre të gjatë kanë shpalosur argumentet e tyre se pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.