Shqipe Pantina komenton dështimin e dy seancave
Kanë dështuar të mbahen dy seancat të parapara për ditën e sotme. Njëra seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita (LDK dhe Vetëvendosje), dhe seanca e dytë rreth projekt-rezolutës për delegacionin sa i përket dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina për “Gazeta Blic”, ka komentuar dështimin e këtyre seancave. Ajo tha që PSD ishte i vetmi grup parlamentar që i kishte të gjithë deputetët në të dy seancat.
“Ne ishim i vetmi grup parlamentar i cili i pati të gjithë deputetët në të dy seancat, për mua është joserioze prej Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes të cilët kanë thirrur seancën dhe nuk i kanë ditur procedurat e rregullta për thirrjen e kësaj seance, duke përfshirë këtu nënshkrimet e deputetëve të cilët nuk i kanë dhënë ato nënshkrime që të thirret seanca”, ka thënë Shqipe Pantina për “Gazeta Blic”.
Po aq fajtore për dështimin e seancës për dialog është edhe koalicioni qeverisës, pohon deputetja Shqipe Pantina.
“Po ashtu në anën tjetër kjo është papërgjegjësi e koalicionit, të cilët duke ditur se kanë mungesë të numrave, mungesë të deputetëve në përgjithësi për të bërë shumicën e nevojshme. Por edhe ata deputetë që i kanë duhet të kujdesen që t’i kenë prezent nëpër seanca”, thotë ajo.
Në fund, deputetja Pantina thekson se për një deputet nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa seancat parlamentare.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një deputet se sa seancat parlamentare. Çfarëdo angazhimi tjetër i tyre në krahasim me seancën është i parëndësishme, prandaj partitë e koalicionit duhet të kujdesen që çdo herë t’i kenë deputetët e tyre prezent nëpër seanca dhe kjo tregon për papërgjegjësinë e tyre”,përfundon Pantina deklaratën e dhënë për “Gazeta Blic”.
Kurse, para pak minutash ka përfunduar edhe mbledhja e tretë e kryesisë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka njoftuar se sonte do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për liberalizimin e vizave.
Seanca mbahet me kërkesë të opozitës dhe kjo është vendosur pas kërkesës së re që ka dërguar në kryesi nga opozita.