Shpend Ahmeti: Hashim Thaçi po dobësohet

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se sot debati në Kuvendin e Kosovës nuk ka qenë në nivelin e duhur karshi çështjes që është trajtuar – dialogu me Serbinë.

“Karshi një procesi kaq serioz si dialogu sot nuk ishte në nivelin e duhur as diskutimi dhe as gara si garë patriotike. Pozitivja është se krejt ishin gati të pajtimit se rruga është drejt, përpara. Edhe po të kemi sot zgjedhje dhe të fitojnë si opozitë ky dialog vazhdon edhe me zgjedhje Hashim Thaçi nuk ndërrohet sepse zgjedhjet nuk janë për president. Pse ia kemi frikën aq shumë kur fuqia po i dobësohet. Ai se ka përkrahjen as të Qeverisë, as të opozitës as të një pjese të partisë së tij. E kam dëgjuar edhe Kadri Veselin se kjo ide është e rrezikshme”, ka thënë Ahmeti, njofton Klan Kosova.

“Kuvendi duhet t’ia kufizojë rolin, që është më mirë se një rezolutë që e deklaron një gjë të tillë[mos prekjen e kufirit]. Kuvendi e ka një fuqi të tillë. Nëse ne po mendojmë që presidenti po bën diçka të rrezikshme, kuvendi e ka atë fuqi. Nëse të gjithë janë kundër, janë mbi 80 vota dhe duhet ulur dhe duhet bërë një platformë që e kufizon këtë rol. Dialogu do të ndodhë. Nuk i kuptoj disa subjekte sepse është e qartë se do të ketë një tentim për zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Gjasat janë më të mëdha që të mos ketë marrëveshje”.

“Ne kur të dërgojmë diçka në kuvend, mund ta kemi qëllim ta kalojmë dhe ta deklarojmë një qëndrim politik. Në qoftë se dëshiron që të kalojë këtë rezolutë duhet ulur me grupet parlamentare. Ka një gatishmëri edhe prej koalicionit që të dakordohet një rezolutë, ku duhet të shtohen edhe pika tjera. Kur thuhet qiteni në votim ‘ja qite ja hiç po do të thuash se unë dashta ta ndalë por të tjerët nuk dashtën’”.

Ahmeti ka thënë se ka shpresë që në ditët në vijim partitë të dakordohen për një rezolutë

“Është e domosdoshme që të ulemi dhe të diskutojmë sepse jemi në proces përtej mandateve tona”.