Shkruan Imer Mushkolaj: Një “babë” i keq

Në përpjekjen e dështuar për ta luajtur rolin e “babait të kombit”, Edi Rama po tregohet një “babë” i keq. Sipas tij, problemi i rajonit është Kosova, e jo Serbia. Ai sulmon Kosovën, në vend që t’i kërkojë Serbisë ta njohë pavarësinë e shtetit të ri.

Imer Mushkolaj

Edi Rama nuk ka zgjedhur moment as fjalë për të kritikuar e sulmuar Kosovën dhe kryeministrin e saj përkitazi me idenë e të ashtuquajturit “Open Ballkan”, që më parë njihej si MiniSchengeni. Kryeministri i Shqipërisë ka shfrytëzuar konferencën për gazetarë bashkë me kancelaren gjermane në largim për të goditur nën brez shtetin e Kosovës vetëm pse po refuzon që t’i bashkohet kësaj nisme rajonale, autorë të së cilës janë ai dhe presidenti i Serbisë. Madje, edhe pse Angela Merkel deklaroi në të njëjtën konferencë se Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, duke bërë të qartë se nuk mbështeste paralelizma të tillë, Rama refuzimin e Kosovës e konsideroi të jetë bërë me arsyetime konspiracioniste. Merkel i dha goditjen e fundit dhe më të ashpër idesë së “Ballkanit të Hapur”, të cilën Rama e Vuçiq përpiqeshin ta shesin si një ide të mirëmenduar e të dobishme.

Pjesë e nismës ishte paraparë të bëhen gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, dy nga të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës. Pra, Rama insistonte me ngulm që Kosova të përfshihej në këtë projekt, pavarësisht se Serbia vazhdon të ketë qasje armiqësore ndaj shtetit të ri, pavarësisht se e lufton ku mundet e sa mundet subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, pavarësisht se ende nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie për krimet e kryera në Kosovë.

Edi Rama, në vend që t’i bëjë presion Serbisë dhe të kërkojë nga Aleksandër Vuçiq që ta njohë Kosovën e pavarur, gjithë vrerin, gjithë mllefin e shfryn mbi Kosovën. Për të nuk është problem Serbia dhe qasja e saj fashiste ndaj Kosovës dhe qytetarëve shumicë të saj, por problem është Kosova. Në përpjekjen e dështuar për ta luajtur rolin e “babait të kombit”, ai po tregohet një “babë” i keq. Pra, në sytë e Edi Ramës problemi i rajonit nuk është Serbia, por Kosova. Në sytë e tij Serbia është një shtet demokratik, që po bën çmos të përmirësojë raportet me fqinjët, kurse Kosova është “delja e zezë” që po e shkatërron këtë përpjekje për lëvizje të lirë. Sipas Ramës, Kosova doemos duhet të bëhet pjesë e nismës “Open Ballkan”, pa marrë parasysh se nuk është në pozitë të barabartë me shtetet tjera.

* * *

Nuk mund të quhet normale një situatë kur shtetet nuk e njohin njëra-tjetrën, por kërkohet që ato të bëhen bashkë në një projekt rajonal. Një projekt që nuk ka të bëjë asgjë me Bashkimin Europian, që nuk ka kurrfarë lidhje me të.

Procesi i Berlinit, ndonëse ka nisur qysh në vitin 2014, nuk është se ka shënuar suksese që vlen të përmenden. Pra, një projekt i inicuar nga Gjermania, si shteti më i rëndësishëm europian, nuk ia ka dalë të ketë sukses ndonëse ka mbështetjen e fortë të BE’së. Si mund të ketë sukses një projekt si ky i Ramës e Vuçiqit pa mbështetje konkrete nga BE’ja, pa shtytje nga BE’ja?

Duket se Rama nuk e sheh kështu gjithë këtë muhabet. Ai dëshiron ta çojë përpara aventurën e tij, pavarësisht se projekti nuk refuzohet vetëm nga Kosova, por edhe nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Por, Rama nuk e ka inatin as me Bosnjën, as me Malin e Zi. Rama e ka inatin me Kosovën, me Albin Kurtin. E ka inatin aq të madh, sa që të enjten deklaroi se nuk ka nevojë që dikush t’i jep leksione. Pra, fjalën e kishte për “leksionet” nga Prishtina, ndërkohë që vetë nuk ka reshtur tash e sa muaj duke mbajtur ligjërata e duke dhënë leksione, duke kritikuar e sulmuar Kosovën që po refuzon të bëhet pjesë e aventurës së tij dhe të Vuçiqit.

Projekti i “Ballkanit të Hapur” është refuzuar nga pjesa dërmuese e klasës politike në Prishtinë. Por, ky nuk është lajm për Ramën. Për të nuk është lajm as fakti se Serbia synon me çdo kusht dhe në çdo mënyrë që ta pengojë Kosovën në ecjen përpara.

Logjike do të ishte që Rama të kërkojë nga Serbia që ta njohë së pari Ksoovën dhe pastaj logjik do të ishte edhe bashkëpunimi rajonal. Por, të mbash presionin mbi Prishtinën e ta lësh Beogradin të bëjë sehir se si “baba” sulmon Kosovën dhe udhëheqjen e saj, është shërbim i keq për shtetin e ri.

Kosova as ka qenë dhe as është problemi i rajonit. Serbia është e tillë. Andaj edhe qasja arrogante e kryeministrit të Shqipërisë karshi Kosovës është e gabuar, është e dëmshme. Edi Rama duhet të rezonojë me këmbë në tokë, pa qasje paternaliste. Ai nuk është dhe s’mund të jetë “baba”