Shkaku i tragjedisë në Kaçanik dyshohet se është borxhi që dorasi ia kishte viktimave

Pasditen e të martës në Kaçanik vëllezërit Hasan dhe Kastriot Berisha u sulmuan me armë.

Plumbave nuk i shpëtoi Hasani, ndërsa vëllai i tij Kastrioti me lëndime të rënda është dërguar në QKUK.

Krimi i ndodhur në vendin “Fushë Pajtimit, përballë Varrezave të Dëshmorëve” ka tronditur banorët të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerave.

Për rastin dha pak detaje policia.

“Nga arma e zjarrit lëndime trupore kanë pësuar dy persona dhe për pasojë në vendngjarje ka ndërruar jetë personi me iniciale H.B (M/K) i moshës 30 vjeçare, vdekjen e të cilit e kanë konstatuar mjekët kujdestar. , ndërsa lëndime të rënda trupore ka pësuar personi i dytë me iniciale K.B (M/K) vjeç 32”, ka deklaruar Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë në Ferizaj.

Sipas mjekes kujdestare i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë.

Klan Kosova ishte në fshatin Rekë te familja e të dyshuarit për vrasjen, por aty nuk kanë pranuar të flasin.

Për rastin nuk kanë folur as familjarët e viktimave nga fshati Dubravë të cilët ishin në oborrin e QKUK-së.

Klan Kosova merr vesh se shkak i kësaj tragjedie është një borxh që dorasi ia kishte pasur viktimave.