Shifrat në rritje në veri të Kosovës nga Covid-19, 82 të infektuar, 5 të vdekur
Në veri të Kosovës, numri i të infektuarve me Covid- 19 ka shkuar në 82 ndërsa 5 persona kanë vdekur.
Gjatë 24 orëve të fundit në veri kanë vdekur dy persona nga Covid-19, dhe dy të tjerë janë infektuar, ka bërë të ditur anëtari i shtabit të krizës në veri të Mitrovicës, njëherit epidemiologu Aleksandër Antonijeviq, gjatë konferencës për media të këtij shtabi që u mbajt sot në veri të Mitrovicës.
Dy personat të cilët humbën jetën nga koronavirusi janë nga Zveqani dhe Leposaviqi, ndërsa dy të infektuarit nga veriu i Mitrovicës.
Sipas Antonijeviq, në veri të Kosovës deri tani janë konfirmuar me Covid-19 gjithsej 82 persona, janë shëruar 21, ndërsa kanë vdekur 5 persona.
Sa i përket personave të hospitalizuar, ai shtoi se në spitalin e veriut të Mitrovicës aktualisht janë duke u trajtuar 18 pacientë, derisa në konviktin e studentëve ndodhen 30 pacientë.
Në pyetjen e KosovaPress-it nëse qytetarët e veriut do të vazhdojnë të respektojnë masat për kufizimin e lëvizjes sipas rekomandimeve nga Prishtina, apo ato të Beogradit të cilat nga sot kufizojnë lëvizjen nga ora 18;00 deri në 05;00 të mëngjesit, Antonijeviq la të kuptohet se qytetarët do të respektojnë rekomandimet nga Prishtina.
“Në Serbi është ndryshe, këtu shtabi i krizës ka ndërmarr masa ndryshe, të cilat nuk janë të njëjta siç janë në Serbi”, theksoi Antonijeviq.