Një tjetër veturë është futur në kahun e kundër të lëvizjes në rrugën që të shpie nga Veterniku për në qendër të Prishtinës.
Në grupin ‘Marakli t’kerreve’ në Facebook është publikuar një fotografi ku shihet një veturë duke lëvizur në kahun e kundër të lëvizjes.
Fotografia e shkrepur është në hyrje të Prishtinës, konkretisht në pjesën e rrugës që vjen nga Veterniku për në qendër.
Personi që e ka publikuar fotografinë e ka quajtur si akt ‘kamikaz’, kjo për arsyen se një veprim i tillë mund të sjellë deri në një aksident me fatalitet.

Kujtojmë që dje Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka gjobitur për kundërvajtje një pronar të veturës, i cili ishte futur në kahun e kundër të drejtimi të lëvizjes në autostradën ‘Ibrahim Rugova’.
”Me datë 22.06.2020 në media është shfaqur një video-incizim në të cilin shihej teksa një automjet ishte duke qarkulluar në kahun e kundërt të drejtimit të lëvizjes në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin. Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin. Pas hetimeve intensive, është identifikuar koha e lëvizjes së veturës së cekur më lartë, si dhe përmes targave të saj është gjetur dhe pronari i veturës i cili është kontaktuar përmes telefonit dhe me datë 26.06.2020 i njëjti është paraqitur në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili lidhur me rastin është intervistuar dhe të njëjtit i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës dje.







