“Shej s’ma ka lënë” dhe “Në sy vërehesh që je me virus”, dy ministrat më të përmendur të vitit 2020!

Brenda një viti, qytetarët kosovarë u përballen me ndryshime të mëdha politike dhe institucionale.

Mjaftoi pak kohë e u ndërruan dy qeveri, e në krye të saj u vendosën njerëz thuajse krejtësisht të ndryshëm.

Si fillim nga zgjedhjet fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, duke lidhur më pas një koalicion qeverisës me partinë e Isa Mustafës, saktësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por ky koalicion shumë “frytdhënës” nuk ishte jetëgjatë.

E padyshim pika kyçe e prishjes së koalicionit ishin jo-dakordimet me njerëzit brenda partive, shembulli konkret pozita që mbante Agim Veliu në krye të MPB-së, asokohe.

Agim Veliu publikisht pati deklaruar se është pro shpalljes së gjendjes së Jashtëzakonshme nga Presidenti Hashim Thaçi, e një gjë e tillë i pati penguar Albin Kurtit, i cili nuk priti gjatë dhe vendosi ta shkarkoi Veliun.

Veliu saktësisht u shkarkua nga kjo pozitë me arsyetimin se ai i ka dalë kundër vendimeve të Qeverisë në të cilën bënte pjesë, duke mbështetur nismën e presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, në kohën kur numri i të infektuarve me koronavirus në vend kishte mbërritur në 19.

Por ky i fundit si një nga emrat më të rëndësishëm të LDK-së, brenda përbrenda ndikoi që koalicion veçse të filloi krisjen dhe të shkojë drejt përfundimit.

Zyra e kryeministrit të Kosovës atë kohë, e udhëhequr nga Albin Kurti përmes një kumtese për media, deklaroi se natën vonë më 17 mars, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu veçse u shkarkua.

“Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Unë kam njoftuar Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin që kam marrë dhe po ashtu kam kërkuar prej tij që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri”, thuhej në deklaratën e Kurtit.

E pas kësaj Veliu nuk hezitoi të deklarohet ku tha se shkarkimi që iu bë as shenjë s’ja ka lënë.

“Nuk më ka bo kurrfarë përshtypje ai farë vendimi. Nuk ma ka lënë naj farë sheje. Do të bisedojmë në mbledhjen e kryesisë ne do ta vlerësojmë këtë situatë të krijuar dhe sigurisht do të vendosim. Do ta them mendimin tim aty”, tha Veliu para gazetarëve.

Por shkarkimi i Veliut nuk zgjati shumë, njësoj si edhe Qeveria Kurti.

Me të ndërruar pushtetet, Veliu u rikthye në postin e mëparshëm në atë të udhëheqjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Veliu u emërua në këtë post në kuadër të Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Avdullah Hoti, apo bashkëpartiaku i tij.

Pas afru dy muaj e gjysmë shkarkimi, më 4 qershor 2020, Agim Veliu përsëri do të thirrej ministër i Brendshëm.

Pavarësisht këtij riemërimi, Veliu ishte i pafat përsëri pasi Gjykata Kushtetuese mori vendim për rrëzimin e Qeverisë Hoti, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.

Nëse LDK nuk del fituese e këtyre zgjedhjeve, padyshim se Veliu nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, e që nuk dihet në çfarë pozite tjetër do ta shohim.

Veliu ishte edhe më herët ministër, por që më gjatë e mbajti postin e Kryetarit të Podujevës. Për dallim nga zgjedhjet e tjera, këtë vit LDK humbi bastionin që pati, pikërisht Llapin që udhëhiqej për vite me radhë nga Agim Veliu, e që tani drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Me të gjitha këto ndryshime të cilat ishin përgjatë këtij viti, Agim Veliu lirshëm mund të thuhet se ishte një nga ministrat më të përmendur, më të komentuar e më të paharruar të këtyre qeverive.

Përpos Veliut, emër jashtëzakonisht i përmendur ishte edhe Armend Zemaj.

Në Qeverinë Kurti, Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga Arben Vitia, ministër ky që arriti të marrë vëmendjen e shumë njerëzve, sidomos me qetësinë që u ofronte qytetarëve kur deklarohej për situatën me COVID-19.

Por pas rënies së Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, bashkë me të shkoi edhe Vitia.

E në postin e të parit të Shëndetësisë, Qeveria Hoti emëroi Armend Zemaj, me profesion jurist, por që qëlloi të merrej me një situatë jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, pikërisht me atë të pandemisë COVID-19.

Armend Zemaj anipse më parë ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, arriti të gjendet mjaftë mirë para situatës së pandemisë së koronavirusit.

Zemaj u aktivizua me të pranuar postin, e ku shpesh herë nuk ngurroi që netët t’i kalojë duke inspektuar nga afër se sa po respektohen matat anti-COVID.

Që në fillim Zemaj u komentua se pse do të duhej të vendosej në krye të Shëndetësisë së Kosovës, teksa me profesion është jurist, por që me kohën këto komente u zbehën.

Por një nga deklaratat më të komentuara të Zemajt është ajo që bëri më 13 korrik në Kuvendin e Kosovës.

Derisa po mbante fjalim, Zemaj iu drejtua deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje me fjalët: Në sy vërehesh se je i infektuar me COVID-19.

“Më e keqja që ka ndodh ka ndodh që nga data 12 qershor. Mbyllni seancën për publikun jua lexoj emrat e aktivistëve e familjarëve që jeni të semurë me COVID-19. Shkoni boni testet! Ecni ren me i bo testet! Pse po ikni? Po ti je me simptoma, në sy vërehesh, sytë të kallxojnë që je me COVID-19”, pati  thënë ai.

Tani që Qeveria Hoti po bie dhe rezultat i zgjedhjeve nuk dihet ende, Zemaj pritet të përmbyllë këtë vit në kushte pandemie, e nuk dihet se në çfarë posti do ta shohim nga zgjedhjet e muajit shkurt.