Në Junik janë mbajtur “Ditët e Gjeravicës 2025”, takim ky ndërkombëtar i bjeshkatarisë. Për këtë ngjarje ka njoftuar i pari i Junikut, Ruzhdi Shehu.
“Me krenari mirëpritëm qindra bjeshkatarë, miq dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, të cilët iu bashkuan Takimeve Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë, si pjesë e aktivitetit tradicional “Ditët e Gjeravicës”, që çdo vit i jep jetë bjeshkëve tona madhështore”, ka shkruar Shehu.
Ai thekson se kjo ngjarje, përveçse promovon bukuritë natyrore të komunës së Junikut dhe majën më të lartë të Kosovës – Gjeravicën, është edhe një shembull i bashkëpunimit ndërkufitar, i miqësisë dhe i turizmit të qëndrueshëm malor.
“Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve, organizatorëve dhe dashamirësve të natyrës që po e bëjnë Junikun çdo ditë e më shumë destinacion të preferuar për bjeshkatarë nga e gjithë Evropa! Mirë se vini gjithmonë në Junik – në zemrën e Bjeshkëve të Nemuna!”, ka shkruar Shehu. /Ballkani.info/







