Shala i PDK-së: Arsimi të jetë prioritet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka kërkuar nga qeveria “Kurti”, që prioritet të ketë arsimin. Ai tha se ky sistem ka nevojë që të reformohet në vazhdimësi.

“Duhet që sistemi i arsimit të reformohet vazhdimisht dhe në të gjitha sistemet. Arsimi të bëhet prioritet shtetëror. Ky vizion mund të realizohet përmes reformimit të vazhdueshëm të sistemit arsimor, zhvillimit profesional të mësimdhënësve. Mbështetja për hulumtime shkencore, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar për arsimin”, ka thënë ai.

Shala e përmendi edhe faktin se Kosova ende është e fundit ndër vendet e rajonit për shpenzimet për hulumtime shkencore.

Ai tha se në Kosovë është duke munguar ende fryma e ndërmarrësisë si tek nxënësit ashtu edhe tek mësimdhënësit.

“Mund të themi që Kosova ende mbetet e fundit në vendet e rajonit për shpenzimet për hulumtime shkencore. Kuptimi dhe fryma e ndërmarrësisë ende nuk është mbjellë sa duhet dhe si duhet tek nxënësit dhe tek mësimdhënësit. Për këtë qëllim duhet të freskohet plani kombëtar i shkencës”, ka thënë ai.