Serbët nga Kosova vazhdojnë të vaksinohen në Serbi në mënyrë të organizuar

Tre autobusë me serbë nga Graçanica, Lapnasella, Preoci dhe Bërnica e Poshtme janë nisur sot për në Kurshumli për t’u vaksinuar.

Sipas raportimeve të mediave serbe në Kosovë, bëhet fjalë për rreth 150 persona që kanë marrë dozën e parë të vaksinës ruse Sinovac dhe sot kanë shkuar për dozën e dytë.

Qeveria e Serbisë ka caktuar disa qendra në Serbi për vaksinim të serbëve në Kosovë.

“Gjithçka po shkon mirë, kemi numër të madh të të vaksinuarve, por gjithsesi pres që të ketë më shumë interesim”, ka thënë Vlada Petkoviq, koordinator i caktuar nga Qeveria e Serbisë për vaksinim të serbëve në Kosovë.

Në përcjellje të serbëve për vaksinim, kanë shkuar edhe infermieret nga Shtëpia e Shëndetit në Graçanicë, që funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë.

Imunizimi me vaksina anti-COVID për serbët në Kosovë po kryhet në qytetet si Kurshumli, Rashkë, Bujanovc dhe Vranjë.