Serbët në veri vazhdojnë protestat

Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, përkatësisht të tërhiqen edhe kryetarët shqiptarë të komunave, edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe.

Thirrje të ngjashme janë bërë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur se kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit – janë të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesat e komunave në veri.

Shtensionim të menjëhershëm të situatës ka kërkuar sot edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, teksa ka dënuar sulmet e huliganëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri.

Përmes një deklarate gjatë orëve të para të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë, Blinkeni ka bërë thirrje që Kosova e Serbia t’i përkushtohen dialogut.

Ndërsa ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovë që me forcë të hyjë në ndërtesat komunale ka përshkallëzuar tensionet në mënyrë të panevojshme.

Tutje ai ka pasur dy kërkesa ndaj Qeverisë e Kurtit, për të siguruar që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.

Kjo është dita e katërt e protestave të serbëve në tri komunat me shumicë serbe në veri, në kundërshtim të vendosjes së kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet komunale.