Selimi: Privilegj t’u shërbejë qytetarëve, drejtësia do të jetë e pavarur

Ministri i ri i drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se është nder dhe privilegj që të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Ai ka thënë se postin e tij ministror do ta ushtroj i prirë nga ideja e shërbimit ndaj vendit.

Selimi ka thënë se do të angazhohet për pavarësinë e gjykatave duke i ruajtur nga ndërhyrjet politike.


Postimi i plotë i Selimit:

Nga sot, do ta ushtroj detyrën e Ministrit të Drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Është nder dhe privilegj që të jem në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në një detyrë të lartë shtetërore, në dikasterin më të ndjeshëm, ku lirisë i ipet vula e drejtësisë.

I vetëdijshëm për sfidat, por me besim në vlerat më sublime të së drejtës dhe me mbështetje të aleatëve strategjikë të Kosovës, në bashkëpunim me stafin civil të Ministrisë, kabinetin tim, si dhe me kujdestarinë e çmuar të shoqërisë civile dhe medias, jam i bindur se do t’ia dal mbanë të zbatoj programin qeverisës, duke ia nënshtruar debatit shterues e konstruktiv shoqëror.

I prirë nga ideja e shërbimit ndaj vendit, do të punoj ngushtë me të gjithë për interesat jetike të Republikës së Kosovës, duke siguruar pavarësinë e Gjykatave dhe duke i ruajtur ato nga çfarëdo ndërhyrjeje politike.

Sundimi i rendit dhe ligjit nuk është mburrje politike, por domosdoshmëri e një shoqërie, që e ka jetike rrugën e integrimeve euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me ShBA-në.

Duke i falënderu të gjithë për besimin, edhe pararendësën time Albulena Haxhiu për korrektësi, do t’i qëndroj besnik motos: Besoji sistemit të pavarur të drejtësisë!

Na priftë e mbara!