Sejdiu: Nëse hyjmë në koalicion parazgjedhor do ta bëjmë vetëm bazuar në programe

Partitë që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, janë treguar të gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Të këtij mendimi janë edhe partitë opozitare.

Kjo ka ardhur si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas marrjes së ftesës për intervistim në Gjykatën Speciale.

Sipas informacioneve të deritanishme, zgjedhjet qëndrore pritet të mbahen në muajin shtator.

Ballkani.info ka kontaktuar me Shefin e Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiun, për të kuptuar nëse kjo parti do të hyjë në koalicion parazgjedhor, pasi që kështu është përfolur në media.

“E para e punës PSD-ja është e gatshme për zgjedhje. Së dyti, besoj se është çështje programore dhe jo ndonjë diskutim tjetër, për ne është i rëndësishëm një program i majtë i cili e mbizotëron agjendën zgjedhore, meqë besojmë se në Kosovë është koha për një qeverisje të majtë e cila ka parasysh mënyrën se si duhet me u zhvillu dhe ndërtu një qenie për të gjithë në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar Sejdiu.

I pyetur nëse PSD-ja është kontaktuar nga ndonjë parti dhe mundësinë e bashkëpunimit me AAK-në, pas deklaratave të mbrëmshme të Haradinajt se është i hapur për bashkëpunim me PSD-në dhe NISMA-n, Sejdiu ka thënë se ‘muhabete’ të tilla nuk ka pasur, por edhe nëse do të ketë, do të jenë në baza programore.

“Ne bisedojmë me të gjitha subjektet dhe këtë e kemi sqaruar deri më tani. Si parti social-demokrate jemi munduar të shpjegojmë që në politikë, bashkëpunimi e kompromisi janë virtyte e jo mëkate, ndërsa ajo se çfarë po flitet nëpër media se kush me kë ka afërsi, më shumë bëhet për klikime sesa që është informacion i bazuar”, ka deklaruar Sejdiu për Ballkani.info.

Kujtojmë se kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, mbrëmë ka deklaruar se partia që ai drejton, do të jetë e hapur për koalicion parazgjedhor me NISMA-n dhe PSD-në, ndërsa për PDK-në, LDK-në dhe VV-në, ka thënë se nuk do të ketë bashkëpunim para zgjedhjeve. /Ballkani.info/