Sejdiu: LDK dhe VV, shpëtimi i Kosovës

Ish- deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, ka shprehur gëzimin e tij për shpërndarjen e Kuvendit, sot me votat e 89 deputetëve, çka i hapi rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ai ka thënë se me përfundimin e kësaj legjislature, ka kapitulluar qeveria e Vuçiqit në Kosovë.

“Kur ndodhë diçka shumë e keqe (ndonjë tragjedi), populli zakonisht thotë “mos raftë me u harru”. Me përfundimin e mandatit të kësaj legjislature, e me të edhe kapitulimin e qeverisë së Vuqiqit në Kosovë, besoj që është mirë të thuhet “mos raftë me u harru kjo legjislaturë e qeveri”, ka shkruar Sejdiu në profilin e tij në facebook.

Por, ai është shprehur optimist për “shpëtimin” e vendit, dhe sipas tij këtë mund ta bëjë vetëm koalicioni LDK-VV.

“Fatmirësisht, ekziston tani një moment jetik për të kthyer Kosovën në binarë, dhe për ta shpëtuar atë nga drejtimi i zhbërjes që ia ka dhënë kryesisht PAN-i. LDK dhe LVV duhet të tejkalojnë të menduarit tipik partiak, dhe të veprojnë për Kosovën. Përkundër investimeve nga forcat e errëta (nga jashtë e nga brenda këtyre partive), e mira e përgjithshme e vendit na detyron që të bëjmë presion tek ato që bashkërisht të sigurojnë fitoren e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj. Bashkimi i dy forcave kryesore politike shqiptare në vend, edhe pse jo i përkryer, është formula më e mirë për të shpëtuar vendin përmes një shumice bindëse në Kuvend dhe një qeverie stabile, të aftë dhe të guximshme. Le të garojmë bashkë për shpëtim”, ka përfunduar Sejdiu.

loading…