rezoluta

Sauditët dënojnë rezolutën e Senatit amerikan

Arabia Saudite e ka quajtur “ndërhyrje” si dhe e ka kundërshtuar një rezolutë të Senatit amerikan për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake amerikane për një luftë të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen.

Rezoluta jo-detyruese i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump për të hequr të gjitha forcat amerikane që janë të përfshira në konfliktin në Jemen, përveç atyre që luftojnë ekstremistët islamikë.

Riadi, po ashtu, kundërshtoi një rezolutë tjetër të Senatit, që e mban Princin e Kurorës, Mohamad bin Salman përgjegjës për vrasjen e kritikut dhe gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

“Mbretëria dënon pozicionin e fundit të Senatit të Shteteve të Bashkuara që bazohet në akuza të pabazuara si dhe kundërshton ndërhyrjen e hapur në punët e saj të brendshme”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite.

Ndonëse rezoluta në Senat u miratua me një shumicë simbolike, ajo shënon edhe një paralajmërim të ri për presidentin Trump, i cili e ka mbështetur fuqishëm regjimin saudit, pavarësisht pakënaqësisë globale për konfliktin në Jemen, transmeton AFP.

Ministria saudite paralajmëroi se mbretëria nuk do të tolerojë asnjë “mosrespektim” të sundimtarëve të saj.

“Ky pozicion i Senatit të Shteteve të Bashkuara dërgon mesazh të gabuar te të gjithë ata që duan të shkaktojnë çarje në marrëdhëniet ndërmjet Arabisë Saudite dhe SHBA-së.”- thuhet ne deklaratën e Ministrisë së Jashtme saudite.

SHBA i jep “goditjen” e parë Arabisë Saudite
Rezoluta e Senatit pranon se lidhjet mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite ishin të “rëndësishme”, por i bën thirrje Riadit të “moderojë politikën e saj gjithnjë e më të çrregullt”.

Rezolutat nuk mund të debatohen në Dhomën e Përfaqësuesve para muajit janar.

Por, rezolutat dërgojnë një mesazh të fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë mbi zemërimin e Senatit për rreshtimin në krah të Riadit.

Presidenti Trump është zotuar të vërë veton ndaj rezolutave dhe tani për tani ato nuk kanë gjasa që të kalojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, anëtarët e së cilës të mërkurën kanë bllokuar një votim për këtë çështje.