Sarri dëshiron transferimin e Eriksenit
Maurizio Sarri nuk kënaqet lehtë. Edhe pse Juventusi në këtë merkato ka afruar në skuadër dy mesfushorë me peshë siç janë Adrien Rabiot dhe Aaron Ramsey, në Spanjë janë të bindur se trajneri italian u ka kërkuar drejtuesve të klubit bardhezi, blerjen e Christian Eriksen.
Për mesfushorin danez interesohet prej kohësh Real Madridi por sipas gazetës Marca, “Los Blancos” kanë një rivale shumë të fortë në garën për të firmosur me Eriksen dhe ajo është “Zonja e Vjetër”. Eriksen nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën e tij me “Spurs” e cila skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe klubi londinez është i detyruar të shesë për të mos e humbur me parametër zero.
Me Realin që objektiv kryesor për mesfushën ka francezin Paul Pogba, për Eriksen, Juve duhet të duelojë më shumë me Atletico Madridin dhe Manchester United.