Sanksionet e Perëndimit mund ta sjellin fundin e regjimit të Vladimir Putinit

Fedor Krasheninnikov, analist politik, gazetar nga Rusia ka thënë se elektorati i presidentit rusë, Vladimir Putin, është i varur nga ndihmat financiare që Putin ua jepë, por me sanksionet e perëndimit, Putini po gjendet në vështirësi të mëdha.

“Çelësi për të kuptuar ndjenjat e vërteta të shoqërisë ruse dhe reagimet e saj të mundshme ndaj sanksioneve të reja mund të gjenden në fjalimin e fundit të Putinit në Asamblenë Federale dhe deklaratat e tij gati të njëkohshme në lidhje me de-përshkallëzimin e tensioneve në kufirin ukrainas. Është e rëndësishme të mos harrojmë faktin se që nga fillimi i viteve 2010, Putini nuk ka bërë një përpjekje të vetme për të kënaqur rusët që identifikohen me opozitën. Ai preferon t’i injorojë ose frikësojë këdo që shpreh pakënaqësi me politikën e tij”, thotë Krasheninnikov.

Krasheninnikov mendon se para së gjithash, çështja e ballafaqimit me Perëndimin, situata në Ukrainë dhe politika ndërkombëtare nuk janë interesante për audiencën e synuar të Putinit.

“Nga të gjitha llogaritë, një natë para fjalës së tij, Putini mori një informacion të besueshëm se qytetarët rusë nuk duan luftë. Jo vetëm kaq, ata janë aq të qartë kundër idesë, saqë nuk mund të injorohen më. Së dyti, elektorati i Putinit është i dobët dhe nuk gëzon një cilësi të lartë të jetës. Ata po bëhen gjithnjë e më të pakënaqur. Kështu, Putini e gjeti veten të detyruar të përqendrohej në premtimet për ndihmë sociale për njerëzit, posaçërisht në një formë të pagesave direkte. Ai tani i ka lidhur perspektivat e tij politike me aftësinë e regjimit të tij për të përmbushur detyrimet në rritje sociale në një kontekst të problemeve në rritje në ekonominë ruse”, thotë ai.

Gazetari rus thotë se politika e brendshme ruse tani është reduktuar në formulën më primitive: në prag të zgjedhjeve, Putini i jep elektoratit të tij para shtesë nga buxheti, duke blerë kështu votat e tyre dhe besnikërinë e përgjithshme.

“Si rezultat, sanksionet ndërkombëtare të krijuara për të goditur ekonominë ruse dhe të ardhurat e shtetit do të godasin gjithashtu regjimin e Putinit. Në momentin që ai nuk është në gjendje të përmbushë të gjitha detyrimet e tij ndaj qytetarëve, dhuna do të jetë mjeti i vetëm që i mbetet për të mbajtur në pushtet. Por këtë herë, gjërat do të jenë ndryshe – Putini nuk do të luftojë thjesht kundër opozitës politike, por përkundrazi pjesëve të mëdha të shoqërisë në të cilën ai është mbështetur për dy dekadat e fundit”.

Krasheninnikov thotë se nuk ka dyshim se Putini dhe propaganda e tij do të përpiqen të fajësojnë Perëndimin për të gjitha problemet.

“Si fillim, vetë ideja që Perëndimi është i aftë të shkaktojë dëme serioze në ekonominë ruse përmes sanksioneve ka prishur besimin e disa popujve te Putini: kjo do të thotë se ai nuk është aq i plotfuqishëm sa pretendon ai dhe sigurimet se Rusia është një ekonomi e fortë, e pavarur dhe pa frikë nga sanksionet nuk janë asgjë tjetër veçse një gënjeshtër”.

Gazetari sqaron se sanksionet financiare të perëndimit ndaj miqëve të ngusht të Putinit mund të jenë fatal për të, sepse ata do të kërkojnë largimin e Putinit për ta shpëtuar pasurin e tyre.

“Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se “sanksionet kundër Rusisë” është një propagand e regjimit të Putinit, pasi sanskionet nuk janë kundër Rusisë, por kundër regjimit të Putinit dhe njerëzve të tij. Kjo është një dhuratë për makinerinë e propagandës së Putinit dhe ushqen frikën për “Rusofobinë” në Perëndim. Në kontekstin e Rusisë së sotme, do të kishte më shumë kuptim të flisnim për “sanksione kundër Putinit”, ose “sanksione kundër regjimit të Putinit”, duke u përqendruar në faktin se Perëndimi, udhëheqësit e saj dhe njerëzit nuk kanë asgjë kundër Rusisë ose qytetarëve të saj , dhe se një Rusi e lirë, demokratike dhe populli i saj do të pranohen si miq, partnerë dhe aleatë”, thotë ai. Kujtojmë se shumë vende perëndimore po kërkojnë sanksione tjera ndaj Rusisë për shkak të burgosjes së opozitarit dhe zërit kritik të Putinit, Navalny.