Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar lidhur me menaxhimin e buxhetit komunal dhe disa kontrata të nënshkruara në periudhën e qeverisjes së kaluar.
Në një postim publik, Shehu theksoi se buxheti i Junikut është i vogël, ndërsa nevojat e qytetarëve janë të mëdha, ndaj – sipas tij – kërkohet planifikim i kujdesshëm dhe ekzekutim i ndershëm i projekteve komunale.
Ai përmendi si shembull kontratën e vitit 2019 për ndërtimin e Qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes, e cila, sipas tij, ka vlerë 777,777.77 euro dhe ende nuk është përfunduar. Shehu theksoi se prona ku ka nisur ndërtimi është në kontest pronësor dhe se kontrata ka qenë objekt trajtimi nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
“Sipas auditorit, kontrata është nënshkruar me një diferencë prej 612,777 euro më të lartë sesa vlera e planifikuar. Vetëm për një tabelë informuese janë paguar rreth 20 mijë euro,” ka deklaruar Shehu, duke e quajtur këtë shembull të keqmenaxhimit nga ish-kryetari Agron Kuçi.
Në fund, Shehu u bëri thirrje qytetarëve të Junikut që më 9 nëntor të votojnë për “programin e ndershmërisë dhe duarve të pastërta”, duke theksuar se “koha e jackpoteve ka përfunduar”.







