Rusia vazhdon derdhjen e naftës në Arktik, alarmohen ambientlistët për ngordhjen e kafshëve

Autoritetet në republikën veriore ruse të Komit kanë shpallur gjendje emergjence pasi afërsisht shtatë ton naftë bruto u derdhën në rrugët ujore, duke kërcënuar seriozisht ekosistemet e zonës dhe popullatën e këtij rajoni. Derdhja ka të ngjarë të jetë rezultat i një aksidenti në një tubacion të operuar nga prodhuesi rus i naftës Lukoil, kanë thënë zyrtarët.

Kjo vjen gati një vit pasi një rrjedhje nga një strukturë e magazinimit të karburantit e operuar nga gjigandi rus i minierave Nornickel çoi në derdhjen më të keqe në histori të vajit në Arktik, duke shkaktuar dëme ta pariparueshme në ambient.

Sipas mediave lokale, rrjedhja erdhi nga një tubacion që lidh fushën e naftës Oshskoye në rrethin autonome Nenets fqinje me një strukturë aty pranë të magazinimit Lukoil. Nafta arriti në lumin Kolva dhe udhëtoi në drejtim të Usinskit, një qytet me 45 mijë banorë që ndodhet 2 mijë kilometra në veri-lindje të Moskës.

Të enjten, zyrtarët e Lukoil thanë se rreth 150 punonjës po punonin për të kontrolluar derdhjen. Vlerësimet fillestare thanë se afërsisht katër ton naftë bruto ndotën 1.27 hektarë tokë përreth tubacionit, ndërsa tre tonë hynë në lumin Kolva dhe u zhvendosën në drejtim të rrjedhave të fundit në zonat e populluara.

Aktivistët pretendojnë se Lukoil po fsheh madhësinë e vërtetë të një tjetër derdhjeje katastrofike të naftës në Arktikun e Rusisë. Banorët lokalë thuhet se kishin vërejtur peshk të ngordhur në lumë më 10 maj, para se aksidenti të konfirmohej zyrtarisht.

“Lukoil ndoshta fshehu kohën dhe shkallën e aksidentit, siç kanë bërë më parë”, thanë të enjten aktivistët nga OJQ lokale e Komitetit të Shpëtimit ‘Pechora’. “Është e qartë se pjesa më e madhe e naftës po lëviz e papenguar, së bashku me akullin”, shtuan ata të Premten ndërsa uji i ndotur vazhdonte të lëvizte në Usinsk.

Vladimir Chuprov, drejtor i projektit në ‘Greenpeace’ në Rusi, tha se rrjedhje të tilla ndodhin kur metali i përdorur në tubacione prishet ndërsa përdoret pas datës së skadimit. “Ndarja graduale e naftës si një burim energjie është një mënyrë optimale për të zgjidhur problemin e derdhjes së naftës”, tha ai. Komiteti Hetimor për rajonin Arkhangelsk dhe rrethin autonom Nenets hapi të enjten një çështje penale në derdhje e naftës.

Ndotjet nga rrjedhjet e naftës janë të shpeshta në Rusi, duke ndikuar në dëmtimin e ekosistemit dhe ngordhjen masive të kafshëve. Në maj të vitit 2020 ka ndodhur një rrjedhje e më shumë se 21 mijë tonëve naftë në detin atarktik, duke alarmuar ambientalistët për dëmin që shkakton, sidomos në ngordhjen e kafshëve. /Ballkani.info/