Rusia tradhton Serbinë, “njeh” Kosovën!

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se 61 “mercenarë” kosovarë janë vrarë deri më tash në Ukrainë. Mirëpo, përveç që është propagandë e ulët ruse, kjo listë është edhe qesharake. Deri më tash asnjë e dhënë nuk tregon se ndonjë kosovarë ka luftuar apo po lufton aktualisht në Ukrainë.

E këtë propagandë ruse po e shpërndajnë qarqe serbe dhe malazeze të njohura për lidhje me strukturat pro-ruse në rajonin tonë.

Këtë e dëshmon edhe shpërndarja në rrjete sociale të listës nga Milan Knezheviq i Frontit Demokratik të Mali të Zi. Knezheviq është i njohur si pro-rus, derisa në twittin e tij shkruan se në këtë listë janë edhe dy malazezë.

Në këtë listë të rreme, por zyrtare të MPJ-së ruse, Kosova për herë të parë figuron në mesin e shteteve të pavarura të njohura nga Rusia. Kjo “njohje” nga Rusia duket se është edhe në vazhdën e deklarimit të djeshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Cari” i Rusisë tha dje se nëse Kosova ka pasur të drejt të jetë shtet i pavarur dhe i njohur gjerësisht nga bota, pse këtë të drejtë nuk e kanë edhe rajonet ukrainase të vetëshpallura të pavarura, Luhanski dhe Donetsku.

“Dhe ata (kosovarët) e shpallën e pavarësinë. Të dy, Donetsk dhe Luhansk bënë të njëjtën gjë. Ata nuk duhej të kërkonin leje nga autoritetet e Kievit për diçka të tillë”, tha Putin dje në një adresim rusëve, shkruan Ballkani.info.

Kjo deklaratë e Putinit, e treta që përmend hapur pavarësimin e Kosovës, nuk është pritur fare mirë në Serbi. Qarqe të caktuara atje kanë thënë se presidenti rus po ia kthen shpinën Serbisë dhe se është i gatshëm ta njoh Kosovën për hesape të veta.

Ndërkaq, lista e MPJ-së ruse përfshinë rreth 7 mijë “mercenarë” nga e gjitha bota, derisa paraqiten edhe 156 kosovarë. Nga Shqipëria janë 150 “pjesëmarrës” në Ukrainë, pastaj 204 kroatë, 422 britanikë, 99 gjermanë, 79 nga Maqedonia e Veriut, etj.

“Listës” i prijnë kanadezët me 601 “mercenarë”, të pasuar nga 530 amerikanë, e kështu me radhë.

Për pretendimet e Rusisë foli sot ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman, i cili tha: “Na duket e pabesueshme që kaq shumë qytetarë tanë do të vdisnin pa dijeninë tonë”.

Për këtë listë ka folur edhe analisti kroat i sigurisë, Igor Tabak..

“Unë i pashë këto dokumente të publikuara nga rusët. Për sa i përket përmbajtjes, ato nuk duken të mundshme. Kroacia është një shoqëri relativisht e vogël, kështu që kur bëhet fjalë për mbledhjen e qindra njerëzve të cilët pastaj shkojnë diku me qëllim dhe një nivel organizimi, një gjë e tillë bëhet publike, dëgjohet. Sidomos nëse edhe ata janë krenarë që shkojnë dhe nuk kanë turp të bëjnë reklamë për atë se çfarë bëjnë. Pra, bëhet fjalë për largimin e mbi 200 vullnetarëve në fushëbetejën e luftës më të madhe në Evropë pas vitit 1945”, thotë Tabak për Index.hr..

“Edhe sikur një shoqëri e tillë të guxonte të largohej, është e vështirë të besohet se askush nuk do ta dinte se çfarë kushtesh ka vendosur Ukraina për vullnetarët e huaj në vitet e fundit – që nuk është as magjepsëse dhe as fitimprurëse financiarisht, por ka të bëjë me hyrjen në shërbimin e rregullt ushtarak”, kujton Tabak.

Edhe pse Federatës Ruse i pëlqen të flasë për mercenarë, është fare e qartë se shërbimi ushtarak në Ukrainë është i rrezikshëm dhe nuk premton pasuri apo plaçkë (siç pretendojnë agresorët rusë) se ka pasur më shumë të vdekur apo të plagosur”, tha analisti. /Ballkani.info/

Tablica ruskog Ministarstva… by Index.hr