Rusia po e fsheh gjendjen me pandeminë: Spitalet po mbipopullohen me kufoma

Pamjet e spitaleve të mbipopulluara tregojnë se numri aktual i vdekjeve në shtetin rus është shumë më i lartë sesa tregojnë të dhënat zyrtare.

“Trupi i pajetë bartet me një barelë në repartin e spitalit ndërsa pacientët me koronavirus po luftojnë për jetën e tyre vetëm disa metra larg. Gruaja e moshuar po merr frymë fort dhe lufta e saj e dëshpëruar për frymëmarrje dëgjohet në sfondin e një videoje nga shumë video shqetësuese që po shfaqet nga spitalet anembanë Rusisë”, raportoi CNN.

“Kështu duken netët tona, të frikshme”, dëgjohet një zë i një burri në një video eksklusive të CNN-it nga një sindikatë mjekësore e opozitës ruse, e cila tha se u filmua në mes të tetorit nga një anëtar i stafit të spitalit në Ulyanovsk, një qytet rreth 700 km në lindje të Moskës.

Kjo video e tmerrshme është vetëm një nga disa që mori televizioni amerikan dhe që zbulojnë kushtet e frikshme në spitalet e mbipopulluara. Disa pamje tregojnë mortje me trupa të zhveshur të grumbulluar njëra mbi tjetrën në dyshemetë e ndyra, në skena më shumë si zona lufte sesa spitale.

Ndërsa Rusia përpiqet të vërë nën kontroll pandeminë, videot janë një nga disa shenjat që tregojnë se numri i të vdekurve është shumë më i lartë sesa tregojnë shifrat zyrtare.

Ndryshe, spekulohet se numri aktual është dhjetë herë më i lartë sesa tregohet zyrtarisht.