Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë afat deri më sot Qeverisë së Kosovës ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, me ç’rast ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit. Por ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i ka thënë “Zërit” se taksa nuk hiqet pavarësisht kërcënimeve nga shteti fqinj, shkruan gazeta “Zëri”

Në anën tjetër deputeti nga partia më e madhe opozitare në vend, LDK, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se kërcënimet e shtetit serb ndaj Kosovës nuk janë të reja, prandaj institucionet e Kosovës duhet të jenë unike për marrjen e masave të reciprocitetit kundrejt Serbisë.

“Tarifa ndaj produkteve serbe është vendim i një qeverie të shtetit sovran, pavarësisht se a është kalkuluar mirë ose jo, si në aspektin ekonomik dhe në atë politik. Megjithatë është vendim i një qeverie të shtetit sovran. Ne kemi një problem jo të vogël me shtetin serb, prandaj masat që janë paralajmëruar nga presidenti i Serbisë nuk janë të reja për Kosovën, sepse në këto tri dekadat e fundit ne jemi përballur me format më brutale ndaj Serbisë deri te një luftë e armatosur dhe mohim i të drejtave të shqiptarëve për jetë”, ka thënë Rugova, për “Zërin”.

Derisa ka përmendur marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë dhe që janë sabotuar nga shteti serb, deputeti i LDK-së ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet t’i përgjigjet Serbisë me një zë unik.

“Edhe autobusët nga Kosova që udhëtojnë si vend transit përmes Serbisë obligohen t’i ndërrojnë tabletat, nuk njihen tabelat e Republikës së Kosovës, ata nuk e pranojnë pasaportën e Republikës së Kosovës, prandaj masave të tjera Qeveria jonë duhet t’u përgjigjet me një kundërpërgjigje shtetërore institucionale dhe të paluhatshme dhe ky të jetë një mesazh tjetër edhe te BE-ja, por edhe te Serbia, sepse ka ardhur koha që Serbia ta pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, ka shtuar ai.