Rrugët e përgjakura të Kosovës, 96 vdekje për 9 muaj

Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, në vazhdimësi ndërmerr aktivitete në zbatim të ligjeve të fushës së trafikut rrugor, ka njoftuar sot për statistikat e aksidenteve rrugore të shënuara për periudhën nëntë mujore në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, sipas Policisë janë identifikuar një numër i konsiderueshëm i kundërvajtësve.

Sipas të dhënave të Policisë gjithsej janë shënuar 13 mijë e 360 aksidente për nëntë muaj. Prej tyre thuhet që 85 ishin me fatalitet me gjithsej 96 viktima.

Në aspektin e parandalimit, vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit, policia thotë të ketë ndërmarrë këto masa: – Është implementuar projekti për siguri në trafik “Lëvizni të sigurt në trafik”.

Përmes njësive të trafikut dhe stacioneve policore, janë shpërndarë fletëpalosje tek pjesëmarrësit në trafik. Gjithashtu projekti është promovuar edhe në rrejte sociale dhe media, përfshirë këtu edhe ligjëratat dhe diskutimet në institucione shkollore. – Është implementuar projekti për siguri në trafik “Për një vit më të sigurt në trafik”. Projekt i cili për qëllim ka pasur vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik duke përfshirë diasporën dhe shtetasit e huaj. Shpërndarja e fletëpalosjeve është bërë në të gjitha pikat e kalimeve kufitare dhe në tërë territorin e vendit. -Është vazhduar me kontaktet, diskutimet, trajnimet dhe ligjëratat e rregullta në institucione shkollore lidhur me sigurinë në trafik.

Përveç Urdhrave dhe Planeve Operative, janë ndërmarrë masa shtesë duke krijuar TASK FORCË për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor. – Në kuadër të aktiviteteve parandaluese Policia e Kosovës ka angazhuar edhe patrullime policore me automjete civile si dhe njësi policore që operojnë me dronë. Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë dhe njëherit të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që t’iu përmbahen dispozitave ligjore, të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarësit në rrugë, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.