Rrugët Deçan-Plavë e Pejë-Rozhajë diskutohen mes Kurtit e Abazoviqit

Lehtësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve mes Kosovës dhe Malit të Zi ka qenë temë diskutimi mes kryeministrave të të dy vendeve në takimin në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Kryeministrat Albin Kurti e Dritan Abazoviq, sipas njoftimit të Qeverisë, kanë diskutuar për rrugët Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë.

Njoftimi thekson se dy kryeministrat janë pajtuar për thellim të bashkëpunim dhe për organizimin e një mbledhjeje ndërmjet dy qeverive sivjet.

“U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Çështja e rrugës Deçan-Plavë është e diskutueshme qe një kohë në vend. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj disa herë ka akuzuar Qeverinë Kurti se s’po punon për këtë rrugë, ndërsa nga qeverisja aktuale kanë thënë se s’ka marrëveshje me Malin e Zi që rruga të vazhdojë edhe në territorin e shtetit fqinj.