Planifikimi

Rriten zonat urbane, Kosova pa hartë zonale

Zonat urbane në Kosovë për 18 vjet janë rritur për 57 për qind, por kjo rritje është bërë në tokat bujqësore. Derisa zonat urbane po rriten, komunat e Kosovës nuk kanë harta zonale, madje hartë zonale nuk ka as në nivel të vendit.

Këto të dhëna janë bërë të ditura gjatë konferencës për shënimin e “Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve”.

Zyrtarë të MMPH-së kanë bërë të ditur se në vitin 2000 sipërfaqja e zonave urbane ka qenë rreth 1 për qind, ndërsa në vitin 2018 sipërfaqja e zonave urbane është 1.5 për qind e gjithë territorit të Kosovës, prej të cilave 50 për qind janë krijuar prej vitin 2000-2012, ndërsa 7 për qind nga viti 2010 deri në vitin 2018.

Sa i përket Planit Zhvillimor Komunal, 31 komuna e kanë të miratuar këtë plan, derisa 4 komuna janë në proces, ndërsa dy komuna janë në fazën përgatitore për këtë plan.

Nga Divizioni i Planifikimit Hapësinor, Vjollca Puka, ka bërë të ditur se 22 komuna janë në proces të krijimit të hartave zonale, 3 janë në faza përgatitore, ndërsa 13 komuna nuk e kanë filluar ende procesin.

Megjithatë, është thënë se në muajin e ardhshëm pritet që nga ministria të bëhet prezantimi i draftit të Hartës Zonale të Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, është shprehur se profesionistët e fushës duhet të kontribuojnë në hartimin e politikave për zhvillim të planifikimit urban.
Ndërkaq, këshilltari i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti tregoi se çfarë ka bërë kjo ministri sa i përket planifikimit urban të vendit, ndërsa potencoi se një nga problemet e Kosovës është mos planifikimi urban.

Shënimi i kësaj dite sipas tij është shembull dhe nismë e mirë për të gjithë që së bashku të mendohet, të punohet për ndërtimin e qyteteve me ndërtimin e duhur urban.

Zbatimi i ligjit për ndërtim, atij për planifikim hapësinor dhe ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, sipas tij i mundëson Kosovës krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndosh për të gjithë qytetarët e saj. Njëkohësisht sipas tij, kjo i kontribuon Kosovës që të përmbush kriteret për anëtarësim në BE.