Pulmolgu Hoxha thotë se ka pacientë të cilët edhe pse kanë kaluar deri në tre muaj nga infektimi me koronavirus, përsëri kanë nevojë për trajtim mjekësor.

“Dëmet janë, pacientë kanë ende nevojë për oksigjenoterapi, do thotë janë me hiposaturim dhe hipoksemi. Kanë nevojë ende për oksigjenoterapi dhe janë pacientë të lodhur dhe të plogësht dhe nuk kanë kondicion për të ecur apo për aktivitete tjera…Secili është rast në vete por zakonisht kemi raste që edhe pas dy muajve apo tre muajve ende nuk po e marrin vetën për jetë normale për të mos pasur nevojë për oksigjenoterapi…Ky trend i cili është duke u zhvilluar po e shohim se gjatë vitit do kemi trendi është në rritje sa i përket kërkesave të pacientëve që duhet të hospitalizohen si raste post-COVID, dhe për shkak të kësaj ne e diskutojmë edhe në nivelin e menaxhmentit të SHKSUK-së për rritjen e kapaciteteve dhe të shtretërve për trajtimin e rasteve post-COVID”, u shpreh Hoxha.

Pulmologu Hoxha shton se vaksinimi kundër COVID-it që po zhvillohet në vendin tonë por edhe në vendet tjera e ulë mundësinë e rritjes së rasteve të reja, por ai nuk e përjashton mundësinë e një vale të re të përhapjes së koronavirusit me përmasa të infektimit më të ulëta.

“Duke marrë parasysh që tashmë vaksinimi është duke u zhvilluat në vendin tonë, po ashtu edhe vaksinimi në vende fqinje dhe vendet evropiane është para, ne nuk presim rritje të madhe të rasteve të reja me SARS-COV2 për shkak të këtyre masave që janë marrë edhe të shteteve përreth edhe shteteve perëndimore, ku i kemi edhe mërgatën të cilët vijnë në vendin tonë, por sidoqoftë nuk mund të flasim për një kalim të kësaj pandemie. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se me këtë pandemi edhe gjatë vitit 2021, do merremi sidomos Klinika e Pulmologjisë edhe me rastet e reja që do vijnë me post-COVID. Ndoshta gjatë muajve në vijim do kemi edhe ndonjë valë tjetër por jo të këtyre përmasave çfarë i kemi kaluar”, tha ai.

Në Kosovë tash e sa javë është duke u shënuar rënie e madhe e të infektuarve me koronavirus.

Tashmë në vendin tonë ka nisur edhe shpërndarja e dozës së dytë të vaksinës për profesionistët shëndetësorë, të cilët dozën e parë të vaksinës AstraZeneca e morën në fund të marsit kur edhe nisi vaksinimi në Kosovës.

Krahas dozës së dytë të vaksinës anti-COVID qytetarët e Kosovë mbi moshën 65 vjeç po imunizohen kundër COVID-19 me dozën e parë. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar vaksinim masiv nga 15 qershori. /KP/