Rrahman Jasharaj me sindikalistët tjerë: Grevë një orëshe më 12 maj, me të 20-tin protestë madhështore

Bashkimi i Sindikatave të Kosovës ka vendosur që më datën 12 maj të mbahet grevë një orëshe për të gjithë të punësuarit në Kosovë.

Pas takimit me sindikatat, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka njoftuar se më datën 20 maj do të mbahet protestë.

“BSPK ka vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj”, ka thënë Hykolli.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës e protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.

“Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, e ky veprim do të shihet më 12 maj, me grevën një orëshe dhe protestën më 20 maj që besoj se do të jetë madhështore”, ka deklaruar Jasharaj.