Vërshimet e mëdha të shiut dhe stuhitë e forta ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në disa vende të Ballkanit.

Gjendje pak a shumë e njëjtë ishte paralajmëruar edhe në Kosovë nga Instituti Meteorologjik i Kosovës, përcjellë Ballkani.info.

Temperaturat e ulëta në vend po vazhdojnë të shoqërohen me të reshura shiu.

Shumë herë të reshurat e mëdha të shiut kanë ndikuar negativisht tek uji i pijshëm, për shkak të turbullirave që kanë ndodhur nëpër gypat e instaluar.

Kësaj herë të reshurat deri ditën e sotme nuk e kanë ndotur ujin e pijshëm.

Këtë për Ballkani.info e ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.

“Si çdo herë edhe kësaj radhe Instituti ka bërë kontrollimin e ujit , dhe raportet kanë dal se uji i pijshëm nuk është kontaminuar dhe se të reshura në këtë drejtim nuk kanë ndikuar negativisht.” ka thënë zëdhënësja e IKSHP-së Era Pireva.

Ata të cilët furnizohen nga puset sipas IKSHP-së, duhet të kenë më shumë kujdes në rast se ndodhin vërshimet, për shkak se ka gjasa të kontaminohet uji i pijshëm.

Sipas Institutit Meteorologjik të Kosovës reshje të shiut do të ketë deri në fund të këtij muaji. /Ballkani.info/