Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se duhet që sa më shpejtë të organizohet “Konferenca e Unitetit” e ideuar dhe propozuar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me qëllimin që të përafrohen qëndrimet e liderëve politik të Kosovës në raport me marrëveshjen finale me Serbinë.

“Të nderuar qytetarë, në këto momente kaq të ndjeshme për të tashmën dhe të ardhmën e vendit tonë, “Konferenca e Unitetit” e ideuar nga lideri Z.Ramush Haradinaj është e rëndësisë së jashtëzakonshme për të ndodhur sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar ajo.Ajo ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për një vizion të ri, larg mentalitetit që përçan.

“Kosovës i duhet vizion i ri, larg mentalitetit të kaluar, vizion që bashkon të gjitha forcat politike në interesin kombëtar. Kosovës i duhet vizion politik që ruan, kultivon dhe avancon partneritetin dhe miqësinë me SHBA-në dhe BE-në, vizion që ofron Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në botën e qytetëruar, vizion që hap perspektivë për të gjithë qytetarët pa dallim, e në veçanti për të rinjtë dhe jo vizion që ndanë dhe largon Kosovën nga marrëdhëniet me shtetet mike të cilat janë ndërtuar me vite të tëra”, ka shkruar Reshitaj në Facebook.

Ndryshe, Haradinaj sot ka takuar kryetarin e PDK-së Kadri Veseli dhe atë të Nismës Socialdemokrate për të folur rreth organizimit të kësaj konference. Haradinaj ka thënë se ftesa u ka dërguar edhe liderëve të VV-së dhe LDK-së.