Replikat e rënda Veliu-Osmani: Nga përkthyese e Thaçit e deri tek akuzat për shëndet mental

Dy nënkryetarët e partisë më të vjetër në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu e Vjosa Osmani pas një kohë pauze dhe shenjave se ata kishin lënë anash mospajtimet mes tyre, lufta mes tyre është ngjallur përsëri me deklarata nga më të rënda.

Ishte shkarkimi i Agim Veliut nga ministri i Punëve të Brendshëm që ‘traumatizoi’ të gjithë skenë politike kosovare, madje edhe prishjen e koalicionit dhe Qeverisë Kurti.

Ishte Veliu ai që filloi sulmet i pari ndaj Vjosa Osmanit, ku e quante zëdhënëse të Vetëvendosjes dhe se nuk po i del në krah partisë që ajo përfaqëson, madje i ka treguar derën që të dal nga LDK nëse vazhdon të deklarohej kundër partisë.

Krejt ky acarim i Veliut ndaj Osmanit erdhi pasi kjo e fundi nuk i doli në ndihmë Veliut pasi u shkarkua nga Kurti, ajo nuk tha asnjë fjalë në publik dhe kështu duke treguar se ‘lufta’ mes tyre akoma është aktive, shkruan Gazeta Metro.

Së fundi Veliu e quajti Osmanin si përkthyese të presidentit Hashim Thaçi dhe një frikacake që nuk doli të kandidon kur ju kërkua nga LDK për kryetare të Prishtinës dhe Mitrovicës.

E natyrisht reagimi do të vinte nga Vjosa Osmani, ku e quajti si shantazhues e shpifës por duke mos i përmendur emrin, mirëpo duke u parë qartë se ky mesazh ishte për të.

Madje Osmani këtë mesazh e kishte lidhur edhe me shëndetin mental, duke aluduar kështu me pandeminë e koronavirusit.

‘Lufta’ mes Osmanit dhe Veliut është e hershme qysh nga viti 2014, ajo po vazhdon të jetë aktive deri në zgjedhjen e re të një kryetari të partisë, pasi të dy këta të fundit janë në garë për të parin e LDK’së.