Real Madridi vendos ta mbajë Jamesin

Real Madridi ka ndryshuar qëndrim sa i përket të ardhmes së James Rodriguezit. Nga Spanja raportojnë se kolumbiani, i cili është përfolur gjatë verës për një kalim të skuadra të ndryshme europiane, do të qëndrojë te “Los Blancos”.

Gjigantët spanjollë shfaqën një formë të dobët gjatë miqësoreve parasezonale, duke fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet miqësore të zhvilluara, ndërsa përplasja Zinedine Zidane-Gareth Bale gjithmonë ishte lajm i parë i ditës.

Mendohej që Zidane dëshironte që Rodriguez të largohej sa më shpejt nga “Bernabeu” në mënyrë që të financonte blerjen e mesfushorit të Manchester United, Paul Pogba.

Sidoqoftë, mediet spanjolle pretendojnë se “Zidane e ka mesfushorin (Rodriguez) dhe tani ai nuk është në merkato”.

28-vjeçari shënoi shtatë gola dhe dha gjashtë asiste te Bayerni sezonin e kaluar, ku ishte huazuar, duke ngritur trofeun e Kupës së Gjermanisë dhe Bundesligës.

Zidane nuk ka qenë në gjendje të formojë një formacion fiks gjatë miqësoreve verore dhe tani mund të përdorë mesfushorin sulmues për të ristrukturuar skuadrën e tij përpara nisjes së La Liga, me Realin që do të përballet të shtunën me Celta Vigon në udhëtim.

loading…