Real Madridi nuk e lejon largimin e Varanes
Real Madridi do të bëjë gjithçka për ta mbajtur mbrojtësin Raphael Varane, duke mos toleruar aspak në respektimin e klauzolës së lirimit prej 500 milionë euro, që francezi ka në kontratë.
“Goal.com” kupton se “Los Blancos” nuk kanë dëshirë ta shesin Varane, i cili mbetet një pjesë kyçe e skuadrës, si dhe ka fituar Kupën e Botës me Francën, verën e kaluar.
Francezja “L’Equipe”, kohët e fundit njoftoi se Varane po mendon për të ardhmen e tij. Ai duket të jetë në kërkim të një sfide të re, pavarësisht kthimit të bashkatdhetarit Zinedine Zidane si trajner në “Bernabeu”.
Qendërmbrojtësi ka kontratë deri në vitin 2023, por është i interesuar t’i rritet paga. Këtë e justifikon me statusin që ka tashmë, si fitues i Kupës së Botës dhe i katër Champions-ve.
Javët e fundit, Varane ka qenë i lidhur me Juventusin dhe Manchester United, edhe pse vetë nuk ka folur për largim nga klubi madrilen. Zidane tha dje se nuk mund ta imagjinojë Real Madridin pa Varane, i cili ka qenë pjesë përbërëse e një prej periudhave më të mëdha të të bardhëve.
Gjatë kohës së tij në “Santiago Bernabeu”, francezi ka luajtur 268 ndeshje, duke fituar edhe 15 trofe.
Real Madridi ka nënshkruar me mbrojtësin Eder Militao nga Porto kohët e fundit. Braziliani është një lojtar, që mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në të djathtë për klubin spanjoll, por nuk llogaritet si pauses i Varane për momentin.