Reagon PSD-ja pas arrestimit të aktivistit të tyre në Serbi

Dy qytetarë të Kosovës  tash e dy ditë janë duke qëndruar në paraburgim në Serbi, pas arrestimit të cilët për shkak të mjegullës dyshohet se mund te kenë dalë në territorin e Serbisë.

Njëri prej qytetarëve (Blerim Maqastena) është asambleist dhe aktivist i PSD-së në Podujevë, njofton Partia Social Demokrate.

PSD-ja thotë se kjo mbajtje e dy qytetarëve të Kosovës nga Serbia është absurde, prandaj duhet të lirohen menjëherë me procedurë normale.

“Me shqetësim morëm lajmin që dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Blerim Maqastena (asambleist dhe aktivist i PSD-së në Podujevë) dhe Berat Megjuani janë arrestuar dhe paraburgosur në Serbi. Blerimi dhe Berati po mbahen tash e 2 ditë në paraburgim në Serbi. Kjo mbajtje e dy qytetarëve të Kosovës nga Serbia është absurde. Blerimi dhe Berati është dashur të lirohen menjëherë me një procedurë normale. Arroganca e autoriteteve të Serbisë është e papranueshme.

Sipas informatave që kemi, Blerimi dhe Berati për shkak të mjegullës së madhe kishin humbur rrugën duke ecur në zonën kufitare me Serbinë, dhe gabimisht janë futur në territorin e Serbisë. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, të cilët janë vënë në kontakt me autoritetet serbe nga të cilat pastaj janë ndaluar.

Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht që Blerimi dhe Berati të kthehen sa më parë në Kosovë. Duke parë natyrën e rastit, vonesat në trajtimin dhe lirimin e tyre janë të panevojshme dhe të papranueshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.