Reagon edhe Rakiq: Kurti dëshiron luftë

Kryetari i Listës Serbe dhe Ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka reaguar për suspendimin e Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pas pjesëmarrjes së saj në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Reporteri.net.

Rakiq në një deklaratë të shkurtë për Tanjugun serb ka thënë se kryeministri Kurti ka dëshmuar se nuk i dëshiron serbët në Kosovë, por se sipas Rakiq dëshiron luftë.

Për suspendimin e Liljana Stevanoviqit kanë reaguar dje edhe krerët e shtetit serb, Aleksandar Vuçiq dhe Ana Brnabiq.

Vuçiq ka thënë se me suspendimin e gjykatëses serbe, Kurti ka sulmuar Serbinë.

“Kurti ka shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe sipas tij dhe të tjerëve që e mbrojnë atë, marrëveshjet e Brukselit më nuk ekzistojnë. Kurti është ai që dëshiron ta prishë paqen në Kosovë. Me vendime të tilla, ai dëshiron që t’i sulmojë qytetarët serbë aty ku ata jetojnë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se “po e minon paqen me çdo vendim dhe se ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare duke mohuar të drejtat themelore të njeriut për serbët në Kosovë”.

Ajo ka vlerësuar se pas vendimit për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, “marrëveshja e Brukselit është e vdekur”.

Një kërcënim të hapur e ka bërë Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili ka thënë se shkarkimi i gjyqtares serbe në Mitrovicë, është hapi i parë drejt luftës mes dy shteteve.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilin shqiptarët (Vulin ka përdorur termin fyes “šiptari) po e përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk mbledh një takim në Bruksel dhe ndalon çfarëdo aksioni të dhunës kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar nga urrejtja. Çfarëdo që të sjellin ditët në vijim, është e sigurt se Serbia ka bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe se e gjithë përgjegjësia për stabiliteti i rajonit tani varet nga Bashkimi Evropian, KFOR-i dhe Kurti”, tha Vulin.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi më 24 mars se ka suspenduar Stevanoviqin, por institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar se suspendimi i saj ka ardhur pasi ajo ka marrë pjesë në takimin me Vuçiqin në Beograd.