Bashkëshorti i UD presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, ka reaguar pas lajmit të publikuar për blerjen e shtëpisë në “Margiona Hill”.
Ky lajm është botuar në disa media, fillimisht në Gazetën NewBorn.
“Gazeta Newborn, Ballkani .info, etj, po vazhdojnë shpifjet e rënda kundër Presidentes e familjes tonë edhe tash në heshtje zgjedhore. Mos i besoni propagandës së tyre të ndyrë. Ato do të paditen, brenda javës, për këto shpifje, njejtë si janë paditur edhe mediet e tjera shpifëse dhe do të përgjigjen sipas ligjit”, ka shkruar Sadriu.
Dhe meqë në këtë reagim është përmendur edhe portali ynë, Ballkani.info, ne e japim këtë sqarim për zotin Sadriu dhe për opinionin.
Ballkani.info sqaron se lajmi me titull: “Kjo është shtëpia luksoze e Vjosa Osmanit në Marigona Hill”, është marrë nga gazeta Newborn dhe si i tillë është postuar dhe cituar plotësisht nga kjo gazetë.


Pra, gazeta Newborn është media që një kohë të gjatë në tregun medial të Kosovës, ka pronar dhe titullar, prandaj përgjegjësia e një shkrimi të tillë bie plotësisht mbi këtë medium.
Për të qenë sa më korrekt me zotin Sadriu, ne edhe e botojmë të plotë reagimin e tij, për të dëshmuar se nuk ka të bëjë asgjë me ato që thekson personi i lartëpërmendur.
Edhe pse reagimi nuk është bërë drejtpërdrejt nga zonja Osmani dhe as nga zyra e saj, por nga personi që fare s’është përmendur në tekst, ne e riktheksojmë se duam të jemi korrekt, prandaj edhe e botojmë këtë reagim.
Po ashtu, theksojmë se blerja e shtëpisë nga zonja Osmani-Sadriu është përmendur publikisht nga Daut Haradinaj, ish shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Haradinaj ka thënë se Vjosa Osmani ka blerë shtëpi në “Marigona Hill”, tek i njëjti pronar që e ka edhe “Marigona Residence” dhe për këtë është dashur të vihet në dijeni edhe Albin Kurti.
“Zonja Osmani hiç s’ka shumë kohë që ka marrë shtëpi në Marigona Hill edhe bash te i njëjti pronar, edhe ajo nuk mundet neve mena kallxu, këto mundet me ia shit najkujt nëpër studio, te lagja Marigona Hill, te i njëjti pronar, zonja e nderume është dashtë me u konsoltu me zotin Kurti këtë rast”, ka thënë Haradinaj në TV Dukagjini.
Për këtë shtëpi ka folur mbrëmë edhe vet zonja Osmani.
Osmani, kandidate e Vetëvendosjes për presidente e ka pranuar se ka blerë shtëpi në lagjen Marigona Hill.
Por ajo ka thënë se nuk ka blerë shtëpi shumë të madhe siç është raportuar.
“Nuk kam shtëpi në Marigona Residence. Ta qartësojë një gjë, unë jetoj në një banesë 53-54 metra katror dhe jemi katër anëtarë të familjes jetoj që nga vitit 2012. Unë dhe bashkëshorti im punojmë qe 22 vite në Kosovë, Australi dhe ShBA. Dhe nëse një familje brenda 22 vitesh arrin me punë të ndershme, dhe që mundet secilin cent ta arsyetojë, të arrijë që të kalojë dhe të kalojnë nga një banesë 53 -54 metra në të ardhmen në një shtëpi të vogël, sepse janë shpifje të mëdha 400 mijë 500 mijë. Më tregoni mua ku është problemi që ne kemi kontraktuar diçka që ende nuk e kemi paguar që ndoshta mund ta paguajmë në 20 vitet e ardhshme me kredi, duke shitur banesën aktuale siç bëjnë shumica dërmuese e familjeve”, tha ajo.
Osmani është shprehur se do të kërkojë nga prokuroria që njeriun e parë të cilit do t’I hetohet pasuria të jetë veta ajo. /Ballkani.info/







