Të qeverisësh me komunën e Deçanit për kryetarin Bashkim Ramosaj, po aq sa është një gjë sfiduese, po ashtu është dhe privilegj.
Për KosovaPress, Ramosaj tregon arritjet dhe problemet që ka hasur gjatë punës së qeverisjes së tij lokale, gjatë së cilës prioritete absolute kanë qenë arsimi dhe shëndetësia.
Sipas tij, tashmë nxënësit dhe personeli arsimor shumë më lehtë do të kenë procesin mësimor, pasi tetëmbëdhjetë shkolla i kanë hyrë procesit të rinovimit të plotë. Të njëjtin efikasitet thotë se ka pasur dhe në sektorin e shëndetësisë, ku sipas tij shumë shpejt pritet që QKMF-ja në Deçan të jetë e kompletuar.
Kryetari Ramosaj konsideron se dy projektet që janë vitale për komunën e Deçanit kanë filluar. Rruga Deçan-Plavë dhe rregullimi i shtratit të lumit në këtë qytet , sipas tij, këto projekte do t’i japin shpresë qytetarëve të jetojnë në këtë qytet.
Ndërsa, për disa projekte që nuk janë realizuar këtë vit, kryetari Ramosaj thotë se do të realizohen vitin e ardhshëm. Sidomos e rëndësisë së veçantë ai përmend zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në disa zona të Deçanit dhe zgjerimin e rrugës së qendrës në këtë komunë.
Duke marr parasysh se Deçani përbëhet prej shumë fshatrave dhe rol të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe rritje të ardhurave të banorëve është bujqësia, kryetari Ramosaj thotë se ka bërë çmos që t’iu dalë në ndihmë atyre përmes subvencioneve.







