Qytetarët e Obiliqit ankohen për erë të rëndë dhe tym

Në komunën e cila nuk është as dhjetë kilomentra larg kryeqytetit të Kosovës, tash e sa ditë qytetarët po përballen me erë të rëndë dhe tym që vije nga termocentralet e KEK-ut. Ajri i ndotur i cili po ndodhë si shkak i një përzierje të tymit, pluhurit dhe hirit, ka edhe një erë të rëndë, i cili po ua ngacmon frymarrjen qytetarëve.

Musa Asllani i cili është banor në këtë komunë po thotë se dita-ditës është bërë e vështirë jetesa në këtë vend. Sipas tij, ditëve të fundit është vërejtur një tym më i theksuar. I frustruar për neglizhencën e institucioneve po del të jetë edhe Mehmet Gashi, po ashtu banor i Obiliqit.
Për KosovaPress, Muharrem Shatrolli derisa fajëson institucionet kompetente për këtë çështje, thotë se gjatë sezonës së dimrit po e kanë shumë të vështirë të përballën me këtë ajër.

Se ajri i ndotur në këtë vend është evident, e thotë edhe Skender Sullova, megjithatë sipas tij, këto ditë është vërejtur tym më i theksuar që vije nga oxhaqet e termocentraleve.

Në lidhje me këtë, në një përgjigje dhënë KosovaPress-it, drejtoresha e Ambientit në komunën e Obiliqit, Fitore Hashani ka mohuar të ketë pasur ankesa sa i përket tymit. Sipas saj, këto ditë është duke u punuar në riparimet e Kosovës B, dhe se mund të ketë zhurmë gjatë pasdites.

KosovaPress në lidhje më këtë ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zyra e informimit në KEK, por këta të fundit nuk kanë bërë një gjë të tillë.

loading…