Qytetarët e Fushë Kosovës presin ndryshime nga këto zgjedhje

Qysh në orën shtatë të mëngjesit në qytetin e Fushë Kosovës është hapur qendra më e madhe e votimit në shkollën fillore “Selman Riza”, 0901E, qendër në të cilën të drejtë vote kanë 14 mijë e 600 qytetarë në 17 vendvotime.

Ndonëse mëngjes qytetarë në numër të konsiderueshëm ia mësynë kësaj qendre të votimit për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. E përmes votës ata po kërkojnë ndryshim pozitiv.

I pari që votoi në këtë qendër të votimit ishte Shemsi Vllahu i cili tha se nga këto zgjedhje presin ndryshime në çdo aspekt.

“Me u bë diçka më mirë shpresoj, shpresat i kemi….në përgjithësi në komunën e Fushë Kosovës në të gjitha komunat por në Fushë Kosovë gjithsesi”, tha ai.

Ylli Gjyrevci një i ri nga kjo komunë thotë se nga raundin i dytë i këtyre zgjedhjeve pret ndryshime sidomos për rininë.

“Vetëm të bëhet më mirë me u zhvillua Fushë Kosova për rini më shumë këtë po e presim”, tha ai.

Në komunën e Fushë Kosovës janë 15 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime.

Menaxheri i kësaj qendre, Esat Simnica tha se u është ndaluar nga KQZ që të japin deklarata për medie.

Në komunën e Fushë Kosovës të drejtë vote kanë 40 mijë e 289 qytetarë.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Fushë Kosovës, në garë janë kandidati i LDK-së, Burim Berisha dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca.

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale u mbajt më 17 tetor, ndërsa 21 komuna shkuan në balotazh që po zhvillohet sot.