Quni: Nuk i jam gëzuar arrestimit të Thaçit dhe Veselit

Anton Quni, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, thotë se nuk i është gëzuar arrestimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Specialja dhe uron që UÇK të vazhdojë ruajtjen e imazhit të mirë, pavarësisht ngjarjeve me Gjykatën Speciale.


Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, flet edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në Kosovë, të ardhmen e tij politike dhe mundësinë e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin.

Anton Quni i cili vjet më parë kishte deklaruar që Thaçi e Veseli e kanë vendin në burg dhe se do të qëndrojë në politikë derisa të dy të i shoh prapa grilave, thotë se nuk i është gëzuar arrestimit të asnjërit prej tyre.

Ministri i Mbrojtjes, duke mos dashur të flas më shumë rreth kësaj çështje, për shkak të postit që ushtron e edhe të situatës në Hagë, thotë se në këtë periudhë duhet përmbajtur nga deklaratat.

“Pasi zoti Thaçi e zoti Veseli janë duke u përballë me drejtësinë nuk do te ishte e ndershme nga kjo pozitë unë të rëndoj edhe më shumë situatën, ne tani duhet të përmbahemi nga deklaratat, posaçërisht nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, por asesi nuk i jam gëzuar për cilindo autoritet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që duhet me u përballë me autoritetet e gjykatës ndërkombëtare”, thotë Quni.